PS sulmon qeverinë, Bankën e Shqipërisë, por edhe LSI-në

Kriza ekonomike
TIRANE - Partia Socialiste ka tentuar dje që me një “gur”, krizën ekonomike, të godasë “3 zogj”. Deputeti socialist Marko Bello, akuzoi qeverinë Berisha për mosmarrjen e masave sipas tij të duhura për përballimin e fakteve negative nga kriza globale financiare, Bankën e Shqipërisë për reagimin me vonesë ndaj kësaj situate, ndërsa nuk ka ngurruar që të atakojë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim që një ditë më parë përmes kreut të saj Ilir Meta kishte kërkuar nga qeveria paraqitjen në Kuvendin e Shqipërisë të paketës antikrizë.
“Si institucioni kryesor që merret me politikën monetare dhe mbikëqyrjen e bankave të nivelit të dytë, Banka e Shqipërisë duhej të kishte parashikuar me kohë krizën dhe efektet e saj, si dhe të kishte orientuar me kohë shtetasit shqiptar drejt kredimarrjes në monedhën vendase. Në mungesë të legjislacionit adekuat për kontratat midis kredidhënësit dhe kredimarrësit, BSH duhej të kishte qenë dy herë më e vëmendshme. Nga ana e saj, qeveria nuk duhet të kishte bërë sehir dhe të lante duart si Ponc Pilati, se gjoja bëhet fjalë për marrëdhënie private midis bankave dhe qytetarëve, por duhet të kishte marrë masa urgjente, siç është: kompensimi i rritjes së këstit mujor të kredisë për shkak të zhvlerësimit të qëllimshëm të lekut. Dje, dëgjuam t’i bëhej thirrje Sali Berishës të paraqesë një paketë antikrizë. Mendojmë se qeveria e tij ka pasur kohë të mjaftueshme, afër 4 vjet, për ta bërë këtë gjë, por nuk ka dashur. Sot, ne themi se ka ardhur koha që Sali Berisha të ikë, duke rrezikuar të marrë vetë edhe ata që ende besojnë se ai dhe qeveria e tij mund ta zgjidhin krizën”, deklaroi Bello.