Më 29 nëntor Shqipëria U-17 njeh kundërshtarët
Janë përcaktuar 4 vazot me nga 7 skuadra, që do të formojnë grupet në Raundin Elitë
Eduard Prodani, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, do të niset më 28 nëntor drejt Zvicrës, për të qenë i pranishëm në hedhjen e shortit të Raundit Elitë. UEFA ka përcaktuar dy ditë më parë 4 vazot me 28 skuadrat e kualifikuara në raundin kualifikues. Shpërndarja në vazo është bërë në bazë të koeficientëve të çdo përfaqësueseje. Shqipëria bën pjesë në vazon e fundit dhe do të ketë kundërshtare të grupit një skuadër për çdo vazo (tri të parat).
Objektivi, kualifikimi
Renditja në vendin e dytë në grup, duke lënë pas Sllovakinë dhe Estoninë, u konsiderua arritje e madhe për këtë grup-moshë, pasi asnjë përfaqësuese kuqezi nuk e kishte kaluar fazën kualifikuese prej shumë vitesh. Synimi ynë është kualifikimi edhe në Raundin Elitë. Sigurisht që do të jetë e vështirë, por skuadra shqiptare nuk ka asgjë më pak se kundërshtaret e saj. Në çdo ndeshje do të futemi për fitore, do të shprehej trajneri i U-17, Xhemal Mustedanagiç.
Përforcimet Trajneri Mustedanagiç vijon punën për përmirësimin e skuadrës deri në pranverë, kur do të luhen ndeshjet e Raundit Elitë. FSHF pak javë më parë ka bërë të mundur pajisjen me pasaportë të dy të talentuarve nga Kosova, Lorik Aliu dhe Fatlum Ramadani, të cilët u aktivizuan për herë të parë në miqësoren me Kosovën (1-1). Xhemo ka gjithashtu në dispozicion 16-vjeçarin Astrit Bunjaku, i cili është pjesë e Bazelit në Zvicër. Gjithsesi, Mustedanagiç nuk ka mbetur i kënaqur nga miqësorja e Kosovën, duke e konsideruar ndeshjen me të dobët që ka zhvilluar Shqipëria.
Ndarja e skuadrave në vazo
Vazo A: Franca, Spanja, Çekia, Hungaria, Danimarka, Serbia, Gjermania
Vazo B: Anglia, Suedia, Skocia, Rusia, Portugalia, Bjellorusia, Holanda (vendi organizator)
Vazo C: Polonia, Italia, Belgjika, Gjeorgjia, Islanda, Turqia, Irlanda
Vazo D: Zvicra, Bullgaria, Ukraina, Shqipëria, Luksemburgu, Lituania, Uellsi
