E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 31 dhjetor 2007 pushon së ekzistuari ligji 7501

Më 31 dhjetor 2007, ligji 7501 për shpërndarjen e tokës do të pushojë së ekzistuari. Vendimi është marrë dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve me 7 vota pro, 2 kundër dhe 6 abstenime. Amendamenti për pushimin e ekzistencës së ligjit 7501 për pronat është propozuar nga kryetari i Grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, i cili dje ka bërë sërish mbrojtjen e nismës nëntëmujore para deputetëve të Komisionit të Ligjeve. Kundër këtij vendimi kanë qenë deputetët socialistë, Bashkim Fino dhe Arben Isaraj, ndërsa deputetët e tjerë të opozitës, kanë abstenuar dhe qëndrimit të tyre i është bashkuar edhe deputeti i PD-së, Flori Bajrami dhe deputeti i pavarur, Spiro Peçi. Në mbledhjen e fundit për këtë çështje, Komisioni i Ligjeve i kërkoi Ministrisë së Bujqësisë një relacion "Mbi gjendjen reale të pronësisë mbi tokën bujqësore". Sipas këtij informacioni, aktualisht toka bujqësore e ndarë sipas ligjit 7501 figuron rreth 563 mijë ha, ndërkohë që e pandarë ose në pronësi të shtetit mbeten rreth 137 mijë hektarë. Informacioni i Ministrisë së Bujqësisë thekson se lidhur me këtë situatë ky dikaster "e gjykon të domosdoshëm hartimin e një ligji, i cili duhet të jetë efektiv në zgjidhjen e problemeve të shumta dhe serioze që evidenton ndarja e tokës". Por pavarësisht relacionit të paraqitur nga ministria e mazhoranca, dhe opozita nuk ka lëvizur nga qëndrimet e tyre në lidhje me ekzistencën e këtij ligji. Ashtu si edhe ne, mbledhjet e kaluara të Komisionit të Ligjeve, deputetët e opozitës kanë theksuan se meqë qeveria ka ngritur një grup pune lidhur me draftin për çështjen në fjalë, amendamenti i deputetit Madhi del i panevojshëm. Por, nuk kanë ndarë të njëjtin mendim deputetët e mazhorancës, të cilët e kanë mbështetur propozimin e deputetit republikan, duke theksuar se ai do t‘u japë fund abuzimeve të deritanishme me tokën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›