Durrës-Kukës, Rama shmang Bashën
Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, ka dëshmuar dje për 150 minuta në Prokurorinë e Përgjithshme, në lidhje me tenderin e rrugës Durrës-Kukës. Në orën 10:00, makina me targa TR0111Z është paraqitur në godinën e akuzës qendrore. Më tej, shefi aktual i diplomacisë shqiptare është ngjitur në katin e tretë të godinës, ku ka takuar prokurorët Arben Kraja dhe Xhevat Hana. Më pas u është përgjigjur vullnetarisht të gjitha pyetjeve të hartuara nga grupi hetimor, teksa ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë për fajësinë e tij. Zyrtarë të akuzës thanë se ish-ministri i Transporteve ka dhënë shpjegime si person që ka dijeni mbi faktet, por kurrsesi nuk u thirr si i pandehur, siç pretendonin disa forca politike. Gjatë qëndrimit në godinën e prokurorisë, Basha nuk është takuar me Kryeprokuroren Ina Rama, e cila, gjatë kohës që Basha po jepte deklarime para grupit hetimor, ka pritur një delegacion të huaj. Në dy orë e gjysmë para grupit hetimor deputeti u është përgjigjur pyetjeve vullnetarisht, teksa ka ripërsëritur se nuk është përgjegjësi kryesor i abuzimeve në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, siç pretendonte prokuroria gjatë kërkesës për heqjen e imunitetit, të dorëzuar në parlament disa javë më parë, në kohën që drejtues i saj ishte ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Nga ana e grupit hetimor u bë një rezyme e të gjithë dosjes, nga ku u theksua se pas disa muajsh hetime, krahas marrjes të pandehur të disa zyrtarëve për abuzimet gjatë tenderit të rrugës Rrëshen-Kalimash, është arritur në konkluzionin se përgjegjës për shkeljet e konstatuara është edhe ish-ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe njëkohësisht deputet, Lulzim Basha. Ky i fundit i ka deklaruar grupit hetimor se nuk ka mashtruar opinionin publik për përzgjedhjen e konsulentit "Ecorys Group", teksa ka shtuar se një gjë e tillë është realizuar në përmbushje të legjislacionit për tenderimit. Ndryshe nga deklarata e prokurorisë se kontrata për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash është miratuar pa pasur një projekt përfundimtar të detajuar për zbatim dhe në kushtet e mungesës së oponencës teknike për projektin që do zbatohet, ministri deklaroi pranë prokurorisë se gjithçka ishte kryer sipas ligjeve të shtetit shqiptar. "Mungesa e projektit dhe mundësia për ndryshimin e vazhdueshëm të tij, mungesa e supervizorit, mundësia e ndryshimit të çmimeve për njësi dhe si rrjedhim dhe ndryshimi i vlerës së përgjithshme të kontratës dhe shkeljet e tjera të përcaktuara më sipër i japin mundësi shoqërisë ‘Bechtel Inc.-Enka‘ që të kërkojë dhe marrë shuma parash të pakontrolluara nga shteti shqiptar", deklaronte prokuroria, ndërsa Basha, me një qetësi admiruese, deklaronte para trupës së prokurorëve se gjithçka ishte një farsë, ndërsa saktësonte se për ndërtimin e rrugës është kryer një projekt. Më tej Basha ka kundërshtuar pretendimin e prokurorisë se është marrë personalisht me realizimin e këtij projekti, që nga organizimi i përzgjedhjes së konsulentit dhe deri në nënshkrimin e kontratës dhe modalitetet e fillimit të zbatimit të saj. Ai tha se për realizimin e kësaj vepre kanë marrë pjesë shumë perona, ndërsa ndërtimi i rrugës është miratuar edhe nga Këshilli i Ministrave.
Procedura
Burimet e prokurorisë pohojnë se ish-ministri i Transporteve ka deklaruar edhe procedurat teknike për ndërtimin e rrugës, ndërsa të dhënat dhe dokumentet e tij do të krahasohen me hetimet e kryera deri në këto momente nga prokuroria. Në fund, gjatë 150 minutave dëshmi, makina e shefit të diplomacisë ka lënë prokurorinë
"Dëshmia? Pas kërkesës së Kryeprokurores"
Ish-ministri i Transporteve: Sollaku nuk më thirri në prokurori
Nën një shi të rrëmbyeshëm, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, nuk ka ngurruar të japë një minikonferencë për shtyp në portën e akuzës qendrore, menjëherë sapo kishte dhënë dëshminë para grupit të prokurorëve. Me një qetësi, Basha deklaroi se ishte paraqitur në këto momente në prokurori pas kërkesës publike të Kryeprokurores Ina Rama. "Sot kam dëshmuar për të gjitha faktet që është interesuar Prokuroria e Përgjithshme. Kam depozituar edhe deklaratën time para komisionit të mandateve dhe të rregullores dhe jam përgjigjur më tej për çdo pyetje të parashtruar nga prokurorët", tha ish-ministri i Transporteve, i akuzuar nga akuza për shpërdorim detyre gjatë tenderit të rrugës Kalimash-Morinë. I pyetur për deklaratën e plotë në prokurori, ai është përgjigjur: "Jam pyetur për të gjitha çështjet që kanë pasur interesin e Prokurorisë së Përgjithshme, sigurisht për rrugën Rrëshen-Kalimash". Ndërsa saktësonte se dëshmia e tij është dhënë në cilësinë e ish-ministrit të Transporteve, i cili ka dijeni për rrethanat e çështjes në fjalë. Në vazhdim të minikonferencës, shefi i diplomacisë shqiptare ka reaguar pas deklaratës së Partisë Demokratike, që thirrja e tij të bëhet në statusin e të pandehurit. Ai u shpreh: "Mirë është që në një republikë të ketë vetëm një prokurori dhe jo dy. Unë kam ardhur në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokuroria politike që ka funksionuar në këtë çështje do të marrë përgjigje politike". I pyetur përse nuk shkoi më parë në prokurori, Basha deklaroi: "Për t‘u dhënë fund spekulimeve të atyre që duan ta mbushin këtë çështje me gënjeshtra. Kam sqaruar se në dy momente që jam thirrur nga Prokuroria e Tiranës, ka qenë e pamundur për shkak të axhendës. I kam thënë gjithmonë Prokurorisë së Tiranës se kam qenë i gatshëm të vij në një moment tjetër. Është e rëndësishme të theksohet se thirrja është bërë pas kallëzimit për shpifje, ku unë si ministër i Transporteve kam bërë në Prokurorinë e Përgjithshme. Dhe në thirrjen e prokurorisë, referohet që të jepen shpjegime për çështjen dhe kallëzimin për shpifje". Kallëzimi mësohet se është realizuar nga ish-drejtori në Ministrinë e Transporteve, Arben Braçe, i cili në një intervistë akuzonte Bashën për abuzime gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Ish-ministri i Transporteve do të deklaronte më tej se "në momentet e dy vizitave të rëndësishme si ministër i Jashtëm, konsiderova, duke pasur parasysh se ishin thirrur dëshmitarë të tjerë, për kallëzimin për shpifje se mund të priste për një moment tjetër. Në momentin që prokuroria ka bërë të qartë se kërkonte deklarimin tim në lidhje me investimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, dhe jo për kallëzimin për shpifje, ju duhet të kujtoni që unë të paktën dy herë në javë i kam kërkuar prokurorit të Përgjithshëm të paraqitem. Dhe siç e dini ju që kjo kërkesë nuk ka marr përgjigje. Në arkiva do të gjeni prononcimet e mia që janë bërë publike, të paktën dy herë në javë. Arsyet përse Prokuroria e Përgjithshme nuk iu përgjigj thirrjes sime duhet t‘i gjeni te Prokuroria e Përgjithshme". Më tej, Basha shpjegonte se me bërjen të ditur të vullnetit të Prokurorisë së Përgjithshme nga Ina Rama, gjatë një interviste për të marrë deponimin e tij, ai është përgjigjur drejtpërdrejt. Në lidhje me akuzat e rrugës, ish-ministri i Transporteve do të pohonte se "shumë baltë është hedhur për këtë çështje. Por dalëngadalë, me vendosmëri, do t‘i zbardhim një nga një". Në lidhje me imunitetin, Basha saktësoi se deputeti nuk e dorëzon imunitetin, por ai kërkon që t‘i mbahet ose t‘i hiqet. "Unë kam bërë të qartë që në momentin e parë që e konsideroj veten pa imunitet në këtë çështje dhe kam qenë i gatshëm të veproj sikur nuk kam imunitet. Çështja e imunitetit i takon Parlamentit dhe Kryeministri dhe kreu i mazhorancës ka bërë të qartë pozicionin e mazhorancës, të cilës unë i bashkëngjitem plotësisht", përfundoi prononcimin shefi i diplomacisë shqiptare.