E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Me Edi Ramën PS mbetet në opozitë edhe në vitin 2013”

04-07-2011 / Gazeta 55

Pretendimet e Edi Ramës - flet Kastriot Islami

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste dhe njëherazi deputeti i kësaj force politike, Kastriot Islami, vazhdon të shohë me dyshim lëvizjen e Edi Ramës, pas humbjes së bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e 8 majit. Islami, i cili është një prej deputetëve të padëshiruar të Partisë dhe kryetarit të saj, është shpallur tashmë “non grata” nga klika e Edvinit dhe binomi i 99-shave që ka kapur për fyti PS-në. Por, me mendësinë e tij prej reformatori dhe respektuesi të përpiktë të ligjeve dhe normave ligjore, Kastriot Islami thekson edhe njëherë se Edi Rama është njeriu i mbrapshtë i Partisë Socialiste.
Sipas tij, me Edi Ramën PS është tkurrur elektoralisht në të gjtihë vendin. Për këtë ai sjell në vëmendje humbjen e bashkisë së Tiranës ku nga 9 minibashki që kontrollonte e majta në zgjedhjet e 2007-ës, aktualisht ka vetëm 4, e po ashtu në rang kombëtar është 140 mijë vota pas koalicionit të djathtë.
“Edi Rama nuk ka fituar. Në Tiranë ndarja elektorale e minibashkive është 7 me 4 në favor të koalicionit të Partisë Demokratike. Në këshillin bashkiak PS është në opozitë. E majta e bashkuar ka pasur 9 bashki të mëdha, tani ka vetëm 7. Në krahasim me zgjedhjet vendore të 2007-ës, PS dhe e majta aktuale kanë humbur mijëra vota dhe këtë e di shumë mirë Edi Rama. Sigurisht që më 8 maj ka fituar bashkinë e Durrësit dhe atë të Elbasanit, por nuk fitoi Tiranën. Kjo është përgjegjësi e Edi Ramës. Nëse e majta do të ishte e bashkuar, kandidati i majtë, jo Rama pra, vjen dhe kandidon për bashkinë dhe në këtë situatë mund të kishte fituar me 40 mijë vota më shumë. LSI ka marrë 25 mijë vota në Tiranë. Dhe nëse këto vota do të ishin për të majtën, kandidati i ri, jo Rama, do kishte fituar me epërsi. Është Edi Rama ai që e ka fituar PS-në në një ngërç, në një ngërç që po e vuan mbarë klasa politike dhe në veçanti e majta politike”, u shpreh Islami.
Duke iu referuar vendimit të asamblesë për të marrë pjesë në parlament gjatë sesionit të vjeshtës, deputeti socialist Kastrios Islami thotë se opozita duhet të jetë në Kuvend brenda këtij muaji. 
“Në shtator është e pakuptimtë, PS duhet të jetë në parlament brenda korrikut. Sidoqoftë edhe kthimi në shtator, vjen si rezultat i presionit të faktorit ndërkombëtar. Dhe këtë duhet ta pranojë Rama, se nuk ishte bojkoti ai që arriti qëllimin, pasi në vetvete bojkoti dëmtoi PS-në dhe të majtën. Edi Rama është ndeshur me shuplaka të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për të kthyer PS-në në rrugë institucionale. Por, tani ai vetë e ka kuptuar se s’ka fituar zgjedhjet, pavarësisht se çfarë thotë në mënyrë retorike në asambletë që mbledh”, tha ai.
Duke iu referuar mundësive të PS për të ardhur në pushte në zgjedhjet e 2013-ës, Islami thotë se me Edi Ramën dhe prirjen e tij anti-koalicion, PS do mbetet në opozitë.
“PS mund të kthehet në pushtet, vetëm duke patur një koalicion të madh me të majtën dhe pa Edi Ramën. Në të kundërt është e kotë të flasim për suksese elektorale. Pa koalicion me LSI-në PS s’mund të pretendojë fitoren në mazhorancë”, thotë ai.
Gjithashtu, Islami tha se mbledhjet e asamblesë së PS janë kthyer në arenë batutash që me të drejtë bëhen objekt i gjerë i trajtimit të medias.
“Unë s’mund të marr pjesë në një mbledhje që kthehet në batuta qesharake dhe ku marrin pjesë ‘personalitete’ me mesatare shkolle jo më shumë se 5-së”, argumentoi mungesën e tij në punimet e asamblesë kombëtare socialiste, sekretari për Çështjes Zgjedhore në PS, Kastriot Islami. 
Duke analizuar drejtimin e PS-së nga Edi Rama gjatë 6 viteve, Islami tha se ai ka humbur çdo betejë, duke filluar nga zgjedhja e Presidentit, zgjedhjet parlamentare të 2009-ës si dhe lokalet e 2011-ës, ndërsa e afërt duket humbja e parlamentareve të 2013-ës. 
“Ai paturpësisht thotë se s’mund të punoj me Harasanin dhe Islamin sepse janë peshkuar nga Berisha. Këto janë gënjeshtra, kjo është politikë e vjetër. Duket qartë se z.Rama ka mungesë kapaciteti në drejtimin e duhur të Partisë Socialiste. S’mund të fitosh zgjedhjet dhe të vish në pushtet me Spartak Ngjelën, Nard Ndokën apo ndonjë tjetër të huazuar që s’i përket të majtës politike. Koalicion mund të bësh me atë forcë politike që sot ka në rang kombëtar 125 mijë vota”, u shpreh Islami. 
Duke iu referuar deklaratave të fundit të liderit historik të PS, ish kryeministrit Fatos Nano, Islami mohoi të ketë patur kontakte me të, por theksoi se, “Fatos Nano është themeluesi i Partisë Socialiste dhe si i tillë meriton mbi të gjitha respekt nga kjo forcë politike”.
Në përfundim ai shtoi se do vazhdojë kontributin e tij në Partinë Socialiste pavarësisht ‘thundrave’ dhe etiketimeve të Edi Ramës si i peshkuar...  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›