E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Hitlerin deri në orët e fundit

29/05/2009  Rrëfimi i sekretares së fundit të Hitlerit për vitet e kaluara pranë tij. Kujtimet e Traund Junge tani në shqip

Në vitin 1942 ishte vetëm 22-vjeçe, e etur për aventura dhe e joshur nga Hitleri. Për Traund Jungen, sekretaren e fundit të Hitlerit, padroni i saj ishte i këndshëm dhe një mik shumë i dashur. Sot, kur vitet kanë ikur dhe ajo është një e moshuar, e sheh mikun e saj në një dimension të ri. Ka vendosur që kujtimet dhe përshtypjet nga koha e kaluar pranë tij t’i rrëfejë përmes ditarit të vet të botuar.

“Ky libër nuk është një justifikim i vonuar, dhe as një vetëpadi. Madje, nuk dua që ai të kuptohet as si një pohim. Më tepër është fjala për një orvatje për pajtim, jo me rrethin tim, por me vetveten”, - shkruan Junge në krye të librit të saj “Deri në orët e fundit”. Kujtimet e saj si sekretarja që për dy vjet e gjysmë punoi pranë Hitlerit, i ka hedhur në letër në vitet 1947–1948. “Ishte një kohë kur ‘të gjithë ne’ gjermanët shikonim përpara dhe për më tepër me një sukses të jashtëzakonshëm ne minimizonim dhe gëlltitnim atë që kishim jetuar. Atëherë me pastërti të plotë iu vura punës për këtë ditar. Duke u përpjekur të shënoj ngjarjet dhe episodet më të rëndësishme të asaj kohe, përpara se detaje që më vonë mund të paraqesin interes të mos zbeheshin apo të harroheshin krejtësisht”, - shkruan gruaja. Por sot ndihet e penduar, madje bashkëfajtore. “Si është e mundur të kem qenë aq naive dhe e shkujdesur?” - pyet veten Junge. Ajo rrëfen se atëherë nuk ia vinte veshin zërit që e paralajmëronte dhe që e kuptonte shumë mirë. “Madje, ndihesha e kënaqur për kohën që kisha kaluar pranë tij deri në fundin mizor. Por pas zbulimit të krimeve të tij do të jetoj deri në orën e fundit me ndjenjën se kam qenë bashkëfajtore, - thekson autorja, e ndarë nga jeta shtatë vjet më parë, në vitin 2002. - Rrethi im shoqëror më ka ndihmuar shumë që ta harrojë atë; ata më thoshin se kisha qenë tepër e re dhe pa përvojë që përtej padronit tim të shihja njeriun me dëshira kriminale për pushtet që fshihej pas dukjes së jashtme të ndershme të tij. Por në mesin e viteve ’60 fillova dalëngadalë të reflektoja seriozisht në të kaluarën time dhe ndieja përditë e më tepër fajësinë.”

Shkrimet e Traund Junge, që u përkasin viteve 1947–1948, përbëjnë kujtime subjektive të dhëna në versionin origjinal.

Në këtë rrëfim na shfaqet një herë gruaja e re dhe një herë plaka Junge. “Plaka Junge sigurisht që nuk do të luajë rolin e apostulli moral, por sidoqoftë shpreson të transmetojë disa ide, që janë më pak banale nga sa duken në vështrimin e parë: fasadat e bukura shpeshherë janë mashtruese, prandaj ia vlen gjithmonë të hedhësh një vështrim pas tyre. Njeriu duhet të dëgjojë zërin e ndërgjegjes”, - shkruan Melisa Myrer, bashkautore në vepër. Megjithatë, teksti origjinal i Junges vjen shumë pak i ndryshuar, së shumti vetëm në anën gjuhësore, gabime ortografike apo shkrime fjalësh.

Pjesë nga libri

Takimi i parë

Në përgjithësi sekretaret nuk pyesin shumë për shefat e tyre të vjetër. Po pasi kisha qenë gjatë tre vjetve sekretare e Hitlerit, më thoshin vazhdimisht: “Na thuaj, si ishte ai?” Pastaj vinte pothuajse çdo herë pyetja e dytë: “Si keni arritur ju pranë atij njeriu?”. Pjesa më e madhe e njerëzve është zhgënjyer apo është habitur me të dyja përgjigjet, sepse nuk mund t’u tregoja atyre as për shpërthimet e zemërimit të Hitlerit, as për ngacmimet e tij haptazi me fjalë thumbuese. Unë nuk u bëra sekretare e tij për ndonjë shërbim të jashtëzakonshëm që i kam bërë nacionalsocializmit apo për anëtarësimin e hershëm në parti. Pak a shumë kjo është e gjitha.

Ka të ngjarë që të mos isha bërë kurrë sekretare e Hitlerit, sikur të mos kisha dashur të bëhesha kërcimtare. Kam frikë se më duhet të tregoj shumë detaje që të bëhet i kuptueshëm ky pohim. Motra ime dhe unë kemi ndjekur shkolla gjimnastike dhe vallëzimi që në fëmijëri dhe unë kurrë nuk dyshoja se një ditë do të mund të merresha me ndonjë nga këto pasione të miat. Për fat të keq, ne jetonim në kushte financiare të vështira dhe, kur mbarova shkollën, së pari m’u desh që, si më e madhja, të mendoja për të fituar para, mundësisht sa më shpejt. Gjithashtu mendoja se kjo gjë do të ishte shumë e mirë dhe shumë e lehtë dhe se si nëpunëse e një zyre do të mund të fitoja mjaft sa të paguaja edhe për formimin tim në vallëzim. Por doli se nuk ishe aspak e lehtë që të gjeja një punë me të cilën të fitoja mjaft dhe ndërkohë të më mbetej kohë për të bërë atë që dëshiroja. Por, më në fund, gjeta një punë që, edhe pse nuk më pëlqente fare, të paktën i plotësonin këto dy kushte. Megjithatë, mendoja se kjo nuk do të zgjaste shumë dhe se një ditë mund t’i ktheja përfundimisht shpinën botës së makinës së shkrimit. Vetëm se fillimisht duhej të merrja provimin e vallëzimit. Ndërkohë kishte filluar lufta dhe dalëngadalë secili filloi të ndiejë kufizime e detyrime personale. Pra edhe mua m’u desh të mësoja se i kisha bërë llogaritë pa hanxhiun, pra pa shtetin. Sepse më 1941, kur më në fund e kisha marrë provimin e vallëzimit dhe njoftoja me triumf dorëheqjen time nga puna, rregullat mbi kontrollin e shtetit për punën dhe vendet e punës kishin hyrë në fuqi. Thjesht nuk mund të bëheshe ajo që dëshiroje, duhej bërë ajo që ishte më e rëndësishme për shtetin. Tani e tutje kishte shumë më tepër nevojë për sekretare dhe stenografiste sesa për valltare. Shkurt, valltaret ishin bërë krejtësisht të tepërta. Por atëherë isha 21-vjeçe dhe lufta nuk dukej se me të vërtetë do të ishte një luftë rrufe, por diçka që do të zgjaste shumë. Brenda disa vjetë shkathtësia ime e fituar me mundim do të ndryshkej, dhe atëherë ëndrra ime për vallëzimin do të varrosej përgjithmonë. Në zhgënjimin tim ka të ngjarë që të mos isha më objektive, sepse e gjithë urrejtja ime në këtë dëshpërim kthehej kundër ndërmarrjes ku punoja dhe kundër padronit tim, të cilin e mbysja me qortimet e tmerrshme se më kishte shkatërruar jetën, ngaqë nuk donte të pranonte dorëheqjen time. Nuk dëshiroja ta shihja më atë dhe për inat të tij dëshiroja me gjithë shpirt ta lija punën. Pikërisht kështu ndodhi që nisi të vihet në lëvizje orteku që më pas, më 1945, për pak sa nuk më gëlltiti në Berlin.

Në atë kohë motra ime jetonte në Berlin si valltare në “Deutsche Tanzbühne”. Një nga koleget e saj ishte një kushërirë e Albert Bormanit dhe vetëm në saje të tij një ditë prej ditësh mora një propozim për në Kancelarinë e Fyhrerit në Berlin. Edhe pse ky vend dhe ky post nuk më joshnin në mënyrë të veçantë, së paku më tërhiqte ideja për të ikur nga shtëpia, për të njohur kryeqytetin dhe për të jetuar diçka ndryshe. Kështu, pa e vrarë shumë pranova dhe u nisa për në Berlin. Udhëtimi i parë në jetën time në vagon ishte shumë mbresëlënës, por, kur më pas u futa në labirintin gjigant të Kancelarisë së Rajhut, vendimi im po më dukej pak i rrezikshëm. Por nuk mund të kthehesha mbrapa, kjo do të ishte shumë poshtëruese. U prita nga Grupenfyhreri Albert Borman, një njeri i këndshëm dhe simpatik. Më caktuan në një zyrë të Kancelarisë së Fyhrerit, ku posta dhe shtypi në adresë të Hitlerit merrej, seleksionohej, ritransmetohej dhe përpunohej pjesërisht. Puna ime ishte shumë e lehtë. Albert Bormani, që në të njëjtën kohë ishte edhe adjutant i Hitlerit, nuk rrinte shumë në Berlin. Shpesh pyesja veten se pse kishin sjellë enkas një sekretare nga Munihu. Ndodhesha në zemër të një ndërtese jashtëzakonisht të madhe dhe luksoze, ku humbisja vazhdimisht, rrëshqisja përmes sallës së madhe të shtruar me parket të lustruar dhe prisja për vazhdimin e mëtejshëm të punës sime. Papritmas qarkulluan fjalë se Hitleri kishte nevojë për sekretare të reja dhe se zgjedhja do të bëhej në personelin e Kancelarisë së Rajhut.

Të gjitha sekretaret stenotipiste, fillestare dhe ndihmëse në zyrë, u pushtuan nga një cytje e jashtëzakonshme. U organizua një konkurs në stenografi e daktilografi dhe unë duhej të merrja pjesë aty. Ndërkohë më kishin ndërruar vend: më kishin caktuar në shërbimin e adjutantëve të Fyhrerit - një sektor ky që ndodhej në të njëjtën ndërtesë, në anën që shihte nga parku. Në konkurs mora pjesë me shumë pak ambicie, sepse në të vërtetë nuk kisha besim te vetja dhe nuk ndihesha e denjë për t’u bërë sekretare e Hitlerit. Kur pashë se gishtat e vajzave të tjera rrëshqitnin mbi tastierë si mbi piano, e humba edhe atë pak besim që kisha. Por gjatë provës së fundit bëra më pak gabime dhe u gjenda mes më të mirave. Dhe një ditë prej ditësh më dhanë një shkresë, që më urdhëronte që të nesërmen të nisesha me trenin e postës e të shkoja në kuartierin e përgjithshëm të Fyhrerit, ku bashkë me nëntë vajza të tjera do t’i paraqitesha atij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›