E Diel, 1 Nëntor 2026

Veriu i Shqipërisë, destinacion turistik për 600 izraelite

Veriu i Shqipërisë është kthyer në destinacionin turistik të edicionit të 11 të turit turistik të grupeve nga Izraeli. Një tur turistik nga më të rëndësishmit në tregun izraelit, i quajtur Queen of Desert, i përbërë vetëm nga femra, në fusha të ndryshme është nisur drejt alpeve të Shqipërisë. Itinerari do të jetë i përqendruar në zonën veriore, në Theth, Vermosh e Bajram Curri, duke promovuar turizmin malor dhe të aventurës. Me pas ky tur do të udhëtojë edhe drejt Maqedonisë dhe Malit të Zi. Turi i cili zgjat 1 javë, përbëhet nga 20 makina. Për gjatë gjithë verës rreth 600 turistë izraelitë pritet të vizitojnë vendin tonë, kryesisht pjesën veriore. Në një konferencë për shtyp që u zhvillua dje në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për prezantimin e këtij turi, Drejtori i Turizmit në MTKRS, Elton Noti, u shpreh se  përzgjedhja e Shqipërisë në edicionin e 11 të këtij turi, është për t`u vlerësuar. Sipas tij: Potencialet e shumta kulturore dhe turistike që ka Shqipëria kanë bërë që vitet e fundit, turizmi kulturor në vendin tonë të ketë tendenca në rritje, kjo jo vetëm gjatë periudhës së verës, por dhe në dimër. Që prej ditës së djeshme, vendi ynë është duke u vizituar nga një grup test prej 42 personash. Sipas përfaqësueses së "Destination Albania", Alma Balliu, që është dhe një nga organizatoret e këtij turi, grupet turistike që do të vizitojnë Shqipërinë sjellin me vete dhe një sërë risish. Më e rëndësishmja prej tyre është se turistët do të sjellin në Shqipëri turizmin e aventurës, ata do të vizitojnë vende të ndryshme të veriut tonë dhe do të zhvillojnë në to aktivitete të shumta si alpinizëm, gara me makina, etj, tha Balliu. Në këtë tur do të marrin pjesë vetëm gra izraelite, të cilat kryejnë funksione të rëndësishme politike, kulturore, etj në Izrael dhe në botë. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Nada Kallçiu, theksoi se kthimi i vendit tonë në një destinacion të rëndësishëm turistik ka qenë një ndër prioritetet e qeverisë në programin e saj në vitet 2005-2009. Sipas saj: Për të realizuar promovimin e turizmit janë marrë një sërë masash prej Agjencisë Kombëtare të Turizmit, me mbështetjen e plotë të MTKRS. Në masat e marra, drejtoresha e AKT renditi pjesëmarrjen në panaire të ndryshme ndërkombëtare, krijimin e 11 tureve turistike, organizime të ndryshme të ndërmarra në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, ekspozita, konferenca si dhe spote televizive të transmetuara si në CNN dhe Euroneës. Grupi test, që është duke vizituar Shqipërinë, aktualisht gjendet në zonën e Bajram Currit. Turi i tyre do të zgjasë deri në fund të këtij muaji. Ndërsa një grup tjetër prej 60 turistësh izraelitë do të vijnë në Shqipëri në datën 3 qershor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›