E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodikët e Shqipërisë, për herë të parë në dy vëllime

SHKRUAN: Aida Tuci 06-07-2011 11:04

Në botimin e parë do të përmblidhen materiale studimore, ndërsa botimi i dytë është konceptuar në formë albumi me fotografi me imazhet e kodikëve, të shoqëruara këto edhe me shpjegimet përkatëse

Për herë të parë, Kodikët e Shqipërisë do të përmblidhen në dy volume të rëndësishme. Në botimin e parë do të përmblidhen materiale studimore, ndërsa botimi i dytë është konceptuar në formë albumi me fotografi me imazhet e kodikëve, të shoqëruara këto edhe me shpjegimet përkatëse për secilin prej tyre. Publikimi për herë të parë i Kodikëve të Shqipërisë është mundësuar falë bashkëpunimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, që e bë e mundur falë marrëveshjes së nënshkruar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, mes drejtoreshës Nevila Nika dhe studiueses bullgare, Axinia Xurova, njëkohësisht përfaqësuese e një shoqërie të specializuar bullgare, të cilës i është besuar botimi i kodikëve. Nënshkrimi i marrëveshjes dhe prezantimi i këtij projekti u prezantua dje në Drejtorinë e Arkivave, ku studiuesja bullgare Xurova i dorëzoi në shenjë simbolike kopjet e para të këtyre dy vëllimeve Drejtoreshës së arkivit, Nevila Nika. Kodikët do të botohen në 460 kopje nga shoqëria bullgare me seli në Sofje. Studiuesja bullgare Xurova, prej gati 4 vjetësh ia ka kushtuar kohën e saj studimit të kodikëve të shekullit 6-14. Pjesë e punës së saj ka qenë dhe studimi i Kodikëve të Shqipërisë, ku ajo veçon sidomos Kodikun nr.10 të Vlorës, një dorëshkrim që ajo e cilësoi shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë dhe unik në llojin e tij. Sipas saj, dorëshkrimi i Kodikut të Vlorës është më i rëndësishmi i periudhës së bizantit. “Kodikët e Shqipërisë janë të veçantë, por ishte e rëndësishme që ato të përktheheshin në gjuhë të ndryshme, që studiues të huaj të kenë mundësi t’i shohin ato. Por gjatë punës sime me kodikët, do të veçoja sidomos atë të Vlorës, që është një ndër tre kodikët më të rëndësishëm në botë që i përket artit paloeologjik. Dorëshkrimi nr. 10 i Kodikut të Vlorës është i influencuar gjithashtu edhe nga tendencat e fundit të stilit bizantin, dhe për këtë ky art është i zhvilluar edhe në Europën oksidentale me librat latinisht të rilindjes”, tha Axsina Xurova. Studiuesja bullgare zbuloi gjithashtu dhe faktin se autori (i panjohur) që ka shkruar Kodikun e Vlorës, ka edhe 2 dorëshkrime të tjera, njëri prej të cilëve ndodhet në bibliotekën e Athinës dhe i dyti në atë të Parisit. Gjithashtu ajo do të veçonte mes kodikëve dhe atë të Tiranës që, sipas saj, ka karakteristika të veçanta që e dallojnë nga të tjerët. Publikimi i kopjeve të Kodikëve të Shqipërisë do të prezantohen edhe në kongresin e bizantinëve, që do të mbahet së shpejti në Sofje dhe ku do të jenë pjesëmarrës mbi 110 personalitete dhe studiues të periudhës së bizantit. Kodiku më i vjetër i Shqipërisë i përket shekullit të 6 dhe është ai i Beratit. Ndërkohë për drejtoreshën e Arkivave, Nevila Nika, rëndësia e botimit të Kodikëve të Shqipërisë shkon përtej faktit për ti bërë ata publikë. Sipas saj, botimi i tyre krijon mundësinë që ata të krahasohen me kodikët e huaj dhe kështu të evidentohen vlerat e tyre.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›