E Shtunë, 31 Tetor 2026

Objektivi i Partizanit, tri fitore radhazi

partizani3Edmond Sufaj
Pas triumfit ndaj Burrelit, të kuqtë kërkojnë të marrin maksimunin ndaj Dinamos dhe Naftëtarit, për të forcuar kështu arritjen e objektivit final

 
Skuadra e Partizanit do të luajë ndaj Dinamos, një ndeshje e cila pritet të sjellë shumë emocione, kjo jo vetëm sepse bëhet fjalë për një derbi, por edhe sepse objektivat e skuadrave e bëjnë shumë të fortë këtë sfidë. Ekipet vijnë në këtë përballje me renditje dhe objektiva të ndryshme nga njëra-tjetra.

Partizani ndodhet në vendin e tretë, dy pikë pas Mamurrasit, ndërsa Dinamo renditet në vendin e shtatë. Të kuqtë do kërkojnë me ngulm fitoren në këtë sfidë për disa arsye. Së pari, tri pikët e fituara në këtë sfidë do ta mbanin largësinë e pandryshuar me vendin e dytë. Themi e pandryshuar, pasi Mamurrasi pritet ta fitojë sfidën e radhës në shtëpi.

Nga ana tjetër, trepikëshi do ta mbante në largësi konstante me skuadrat ndjekëse, Tërbunin dhe Pogradecin, të cilat janë dhe dy konkurentët e tjerë të drejtpërdrejtë të kryeqytetasve. Arsye tjetër pse duhet të fitohet derbi nga Partizani është dhe arritja e objektivit minimal për një skuadër me pretendime,  siç është arritja e tri fitoreve radhazi në kampionat, një qëllim që të kuqtë nuk e kanë arritur ende në këtë sezon.

Në përfundim, fitorja mund të quhet dhe e detyruar për Partizanin, pasi pas ndeshjes së ardhshme me Naftëtarin në shtëpi, të kuqtë do të kenë dy sfida radhazi me dy kundërshtarët direkt, ndaj Pogradecin në stadiumin e këtij të fundit dhe ndaj Mamurrasit në kryeqytet.

Këto sfida do të jenë përcaktuese për objektivat e Partizanit për kalimin në Superligë sezonin e ardhshëm. Edhe pse në prononcimin e tij, trajneri Lika u shpreh se ekipi do ti marrë një e nga një ndeshjet, përsëri arsyeja të dërgon te përballjet direkte. Në këtë kontekst, dy ndeshjet e radhës duhet të fitohen me patjetër, pasi gjashtë pikë do të jenë të mjaftueshme për të qenë në gjendje të mirë psikologjike.

Por sipas kalendarit të konkurentëve të tjerë, ka shumë gjasa që Partizani të jetë në vendin e dytë pas dy javësh, duke llogaritur këtu marrjen e dy fitoreve radhazi ndaj Dinamos dhe Naftëtarit. Gjithsesi, Partizani, problemin e ka pasur më shumë ndaj skuadrave të vogla, ndaj së cilave ka lënë shumë pikë gjatë këtij kampionati.

Një ndeshje delikate në këtë kontekst është dhe përballja me Naftëtarin në shtëpi pas një jave, ndeshje e lehtë në dukje, por që kërkon përqendrimin maksimal, aq më tepër që kuçovarët janë kthyer në luftën për mbijetesë, pas marrjes së dy fitoreve në fazën e dytë. Deri në këtë përballje duhet kohë.

Ajo që duhet të kalohet pa problem është derbi ndaj Dinamos, i cili në mënyrë unike do të luhet jashtë Tiranës, duke penguar në një farë mënyre dhe tifozët, të cilët janë shprehur të zhgënjyer që kjo sfidë nuk do të luhet në kryeqytet. Për Partizanin është rikthyer nga dëmtimi mbrojtësi, Endri Tafaj, i cili do të jetë në dispozicion të trajnerit Lika ndaj Dinamos.

Një risi tjetër për të kuqtë është se penalizimet e lojtarëve nuk ekzistojnë më, pasi kjo gjë u thye që në ndeshjen ndaj Burrelit, ku në pjesën e dytë u aktivizua Devolli, i cili dha një kontribut të domosdoshëm për ekipin e tij në fitoren e arritur ndaj matjanëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›