Me Lorikun drejt titullit

Nuk ka aq vjet pa fituar kampionatin sa Liverpuli, por sërish duket pafund larg. Më 1992 seria e fitoreve marsejeze në “Le Shampionat” mori fund, pasi skandali i largoi suksesin e 1993-it, ashtu si dhe figurën karizmatike të presidentit Bernar Tapi. Këtë vjeshtë të 2008-ës, tifozët në qytet mund të ëndërrojnë më shumë se në të shkuarën që Lioni i frikshëm dhe i urryer mund të mposhtet.
Një djalosh shqiptar është udhëheqësi i kryengritjes në Francën e Jugut. Lorik Cana, djali rebel i një babai rebel si Agimi, i ka vënë vulën karakterit të Olimpikut të famshëm. “Vetëm talenti nuk mjafton, - shkruan “sport24”, - Lorik Cana e përmbledh qartë gjendjen shpirtërore të marsejezëve”. Idhulli i tifozëve do të largohet. Me shumë mundësi ky do të jetë sezoni përmbyllës në “Velodrom” dhe si një njeri misionar ai ka dëshirë të lerë gjurmën.
Transferimi veror në Angli duke lënë pas titullin e parë pas 17 vjetësh do të ishte skenari më ideal, i denjë për një film në kinematografinë e shkëlqyer franceze. Një hero i ardhur nga emigracioni, me stacionin Zvicër ndërmjet Kosovës dhe Francës, por edhe me metropolin Paris si përvojë të jetës. Madhështia e Lorikut nuk mund të kuptohet edhe pa fitimin e zemrave të marsejezëve ndonëse vinte nga “përtej frontit”, nga armiqtë e Paris Sen Zhermenit (PSG).
Ndaj një skuadre të bukur të Kaenit, OM e dinte se i duhej thjesht një fitore dhe e arriti atë me rezultatin 2-1. Lorik Cana ishte një ndër dy lojtarët më të mirë të takimit dhe humbja e papritur e Lionit të dielën, 3-0 në fushën e Renës (Rennes) bëri që distanca nga vendi i parë të shkurtohej në 3 pikë. Lioni ka 19, OM 16, por në mes qëndron Tuluza me 17.
Marseja sundon golaverazhin në Ligën e Parë. Me plus 7 gola (15-8), ajo lë prapa kampionët e shtatëfishtë radhazi lionezë (12-6) dhe Lë Mansin (14-9) si dhe lehtësisht Tuluzën (8-6). Më e rëndësishme është që humbja mbahet larg. OM mbetet e vetmja skuadër që nuk ka humbur ende në kampionat, plot 720 minuta tashmë pa ia provuar shijen e hidhur.
“Si gjithnjë simboli i shpirtit luftarak të marsejezëve ishte Lorik Cana”, vazhdon “sport24”-ra. Si një kapiten i vërtetë, vazhdon komenti, shqiptari dha shembullin duke u treguar i vendosur dhe agresiv.
“Na duheshin cilësi të tjera dhe i gjetëm, - gjykon tashmë ftohtë Loriku, - kjo do të na ndihmojë edhe më pas. ka ndeshje ku nuk mund të luash futboll të bukur, pasi kundërshtari është shumë i mbledhur. Kryesore ishte fitorja”. Si mund të fitohet kampionati? Shumëkush thotë se duhet të jesh 100 për qind në çdo ndeshje, të tjerë arrijnë në 110 për qind apo 120.
“Ne duhet të jemi në 300 për qind, - lëshon rrufenë Cana, - nëse duam të arrijmë qëllimet tona”. Trajneri belg Erik Gerec, një lloj hajmalie meqë triumfuesi i madh i 1993-it ishte një tjetër belg Rajmond Getalsi, qesh kur kujton se në ndeshje të tjera është luajtur më mirë dhe është humbur.
“Ndaj Liverpulit dhe Atletikos ne luajtëm futboll të bukur, këtë herë ndaj Kaenit nuk luajtëm bukur, por fituam”, - thotë ai. Belgu thekson se Kaeni erdhi në momentin më të keq, pas humbjes në Madrid dhe pasi tifozët patën probleme me policinë spanjolle dhe ishin të zemëruar.
Mbarësia duket se po i buzëqesh Marsejës. Besohet se lojtarët duhet ta dinë, por 17 vjet u deshën edhe për t’u rikthyer tek titulli më 1989, prej 1972-it ...