E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financimi i fushatës elektorale duhet kontrolluar

Opozita akuzon PD-në për lidhjen mes drejtuesve të lartë të saj me Damir Fazliç, i cili ishte edhe ndërmjetësi i nënshkrimit të kontratës mes demokratëve e kompanisë “BGR/ ”, e cila bëri fushatën e mazhorancës aktuale në zgjedhjet e vitit 2005-së. Pikërisht fushatat elektorale të partive politike, shpenzimet apo edhe donacionet nuk mund të kontrollohen nga asnjë organizëm apo institucion. Aktualisht, subjektet vetëm mund të vetëdeklarojnë shpenzimet e donacionet që marrin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por askush nuk mund të verifikojë vërtetësinë e tyre. Situata në fjalë është kritikuar shpesh edhe nga ndërkombëtarët. Sipas kreut të KQZ-së, Çlirim Gjata, në kodin e ri zgjedhor duhet të përcaktohet ngritja e një organizmi të tillë, që aktualisht nuk ekziston, qoftë edhe të pavarur. “Duhet ngritur një onanizëm. Nuk ka rëndësi se ku do të jetë ky organizëm. Mund të jetë aty ku ta shikojnë të arsyeshëm. Ashtu sikundër bën kontrollin për deputetët, Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive duhet të ketë edhe një kontroll për financimin e partive. Le të ketë një organizëm që të funksionojë brenda KQZ-së, ILDKP-së, i pavarur fare, nuk ka rëndësi”, - deklaroi ai në një prononcim për “Korrierin”. Ai shton se kjo duhet të përcaktohet në kodin e ri zgjedhor, i cili është duke u hartuar nga komisioni i posaçëm parlamentar. Gjata shton se për këtë çështje ka pasur kërkesa të herëpashershme edhe nga ndërkombëtarët, ndaj situata duhet të ndryshojë që në zgjedhjet e ardhshme të 2009-ës. Sipas tij, mund të merret një model nga shtetet e tjera e të aplikohet. Ndryshimi i situatës kërkohet edhe nga kreu i grupit parlamentar të PSD-së, Engjëll Bejtaj. Sipas tij, praktika e deritanishme ka qenë joeficiente. Sipas tij, nuk është problemi vetëm tek ngritja e një strukture të posaçme, por edhe tek detyrimi për të pasqyruar çdo faturë shpenzimi, ndërsa më tej mund të bëhet kontrolli. “Nuk do të ishte sërish eficiente edhe nëse do të kishte një strukturë të posaçme në KQZ. Nuk është problemi tek mospasja e strukturave. Partitë duhet të jenë të detyruara që për çdo aktivitet të dërgojnë relacion në KQZ lidhur me faturën e tij. P.sh.: nëse një spot publicitar që ka X vlerë, ka vlerën tjetër për transmetimin etj., këto duhet të jenë të detyrueshme për t’u bërë transparente. Edhe mitingjet që shoqërohen me koncert etj., duhet të pasqyrohen në një dokument që çohet në KQZ”, - tha për “Korrierin” Bejtaj. Sipas tij, pas këtij momenti, pra deklarimit të çdo fature financiare, mund të “hyjë në lojë” organizmi që bën kontrollin e vetëdeklarimit. Ai shton se detyrimi patjetër duhet të përcaktohet në kodin e ri zgjedhor. Aktualisht partitë janë të detyruara të vetëdeklarojnë shpenzimet e fushatës elektorale, që edhe në zgjedhjet e fundit të 2007-ës u cilësuan shpeshherë si joreale. Një tjetër problem është edhe ai i transparencës së donacioneve, të cilat sipas ligjit janë të lejueshme, sigurisht me disa kritere. Përpara zgjedhjeve të 2007-ës, sipas një udhëzimi partitë politike, kandidatët e tyre, kandidatët e pavarur, si dhe koalicionet mund të përfitojnë për fushatën e tyre zgjedhore dhurata nga persona fizikë ose juridikë, privatë e vendas. Këta subjekte ishin të detyruar të deklaronin sipas formularëve tip çdo dhuratë apo fond tjetër joshtetëror të përfituar për fushatën. Dhuratat mund të ishin në vlerë monetare, shërbime apo edhe sende, mjafton që të mos tejkalonte shumën prej 1 milion lekësh. Subjekti duhet të sigurohej paraprakisht për identitetin e dhuruesit. Por edhe në këtë rast, asnjë organizëm nuk mund të verifikojë nëse shifra apo identiteti i dhuruesit është i rregullt. Ndërkombëtarët janë shprehur për ndryshimin e situatës, duke ofruar transparencë për financimin e fushatave, e gjithçka mund të merret parasysh duke përcaktuar rregullat e reja në kodin e ri zgjedhor. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›