Shpërthejnë zhigolotë

Francë, bum i grave adulte në kërkim të seksit me pagesë
Kanë kaluar 30 vjet që nga dalja e filmit “Zhigoloja amerikan”, i cili lançoi Riçard Gir në botën hollivudiane dhe që tregoi për herë të parë historinë e zonjave në kërkim të seksit me pagesë. Në një distancë prej tri dekadash, “Shoqëruesi i grave” është tashmë një zanat i konsoliduar në të gjithë Perëndimin dhe po jeton një bum të vërtetë në Francë. Pikërisht këto ditë po korr një sukses të jashtëzakonshëm në sallat kinematografike franceze “Klienti”, historia e një borgjezeje të moshës së mesme, e cila lufton mërzinë e vetminë e përditshme, duke frekuentuar sistematikisht djem të rinj e zhigolo. Filmi, i adaptuar nga suksesi letrar me të njëjtin emër i Josiane Balasko (ku vetëm në Francë ka shitur mbi 200 mijë kopje) është vlerësuar nga francezët, sepse tregon emocionet dhe ndjesitë e përjetuara nga shumë gra adulte transalpine. Xhudi, protagonistja e filmit e interpretuar nga Natalie Baye, një nga aktoret më të famshme franceze, është një zonjë 51-vjeçare që ka një punë shumë të mirë në televizion, por pas shpinës ka dështimin e martesës së saj dhe tashmë një jetë të privuar nga dashuria. Hobi i saj i vetëm për të kaluar kohën është të bëjë seks me pagesë me burra shumë më të rinj se ajo në moshë. Xhudi do të zbulojë botën e zhigolove falë internetit dhe do të lidhet në mënyrë të çmendur me Markon, të cilit i bëhet një kliente fikse. Vetë ai është i martuar me një parukiere dhe shet trupin e tij për të paguar detyrimet dhe për t’i ofruar familjes një jetë të mirë. Shkrimtarja Balasko, e cila është gjithashtu regjisorja e filmit, i shpjegoi shtypit francez se kishte dashur të rrëfente një histori ndryshe nga ajo e stilit “Pretty Woman” (Gruaja e bukur), përralla e famshme kinematografike në të cilën një biznesmen i pasur, edhe ky rol i interpretuar nga Riçard Gir, dashurohet me prostitutën e ëmbël dhe sensuale, Xhulia Roberts. “Prostitucioni zakonisht konsiderohet si diçka që u intereson vetëm meshkujve. Ndërsa unë dua të tregoj se sa e zakonshme është sot në Francë fenomeni i grave kliente në kërkim të meshkujve që prostituojnë”, - tha shkrimtarja. Sipas Balaskos, pjesa më e madhe e grave që kërkon seks me pagesë ka një moshë nga 40 deri në 60 vjeç. Pothuajse të gjitha me një divorc pas krahëve dhe kanë vështirësi të mëdha të ndërtojnë raporte të reja sentimentale. “Ndryshe nga burrat, shumë gra nuk mund të rindërtojnë lehtësisht jetën e tyre dhe sigurisht nuk mund të kenë fëmijë të tjerë. Kanë vetëm një alternativë: t’u jepen blerjeve të shfrenuara ose të nisin një marrëdhënie seksuale”, - vazhdoi shkrimtarja. Por bumi i fundit i grave në kërkim të zhigolove nuk është një fenomen vetëm transalpin. Mjafton të futesh në internet dhe mund të gjesh dhjetëra uebsajte italiane që ofrojnë shoqërues për zonjat e të gjitha moshave. Në to jepen fotografitë e djemve, si dhe numrat e tyre të celularit. Sipas një studimi të fundit të kryer nga shoqata “Gratë dhe cilësia e jetës”, nga 1500 gra të pyetura, një në 4 ka menduar të paktën një herë që të paguajë një burrë për të pasur një raport seksual, dhe dy në dhjetë kanë paguar me të vërtetë një shoqërues. Ndryshe nga ç’mund të mendohej, gratë italiane nuk janë të apasionuara pas aktorëve të Hollivudit apo futbollistëve të famshëm. Kërkimi konfirmoi se më të dëshiruarit janë VIP-a nga bota e televizionit, për të cilat gratë e pyetura u shprehën të gatshme të japin deri në 5 mijë euro për një natë të zjarrtë dashurie.