Një mal me para në universitetet e huaja

Sipas dekanit të Histori-Filologjisë, kushtet e arsimit në Shqipëri do të ishin të ndryshme nëse nuk do të kishte kaq shumë humbje
TIRANË - “Mëse 20 mijë të rinj shqiptarë studiojnë dhe jetojnë aktualisht në vendet e Perëndimit, duke shpenzuar në universitete miliona para. Nëse një pjesë e këtyre parave do të investohej për dije në vendin tonë, atëherë edhe cilësia e institucioneve të arsimit të lartë në vend do të pësonte rritje. Kështu u shpreh dje për “Korrierin” ish-rektori i Universitetit të Tiranës, aktualisht dekan i fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj. Sipas tij, edhe pse universitetet e huaja kanë një tarifë studimi tepër të lartë, ato frekuentohen çdo vit nga një mori studentësh shqiptarë, gjithmonë për hir të cilësisë. Universiteti i Tiranës është institucioni i lartë arsimor me tarifat më të ulëta në Evropë, por gjithashtu, cilësia e fakulteteve të këtij universiteti krahasuar me ato evropiane është po aq e ulët sa edhe tarifa. Në këtë mënyrë, në qoftë se një pjesë e shumës së parave që shpenzojnë këta studentë për t’u shkolluar jashtë shtetit do t’i paguhej çdo vit UT-së, atëherë cilësia e arsimit të lartë publik do të ishte shumë herë më i lartë. “Aktualisht, 20 mijë të rinj shqiptarë studiojnë në universitetet evropiane dhe ato amerikane. Kostoja totale që paguajnë këta studentë për shkollimin e tyre është disa milionë euro në vit. Sikur këto para t’i kalonin shtetit shqiptar, cilësia e institucioneve të arsimit të lartë në vend do të ishte e njëjtë me ato të universiteteve të tjera në Evropë”, theksoi Rrokaj. Kështu, për shkak të cilësisë së ulët të arsimit në Shqipëri, shumë kandidatë për studentë zgjedhin të investojnë jashtë vendit paratë e tyre për të studiuar. “Në qoftë se qeveria do ta kishte mbështetur më shumë arsimin e lartë, paratë e këtyre studentëve do të ishin investuar në të mirë tek universiteti publik shqiptar. Atëherë do të kishte fonde të mjaftueshme për të krijuar kushte më të mira dhe cilësore në arsimin e lartë”, tha Rrokaj. Këto para do të mjaftonin për të bërë rikonstruksionin e të gjithë fakulteteve të Universitetit të Tiranës, do të krijoheshin kushte laboratorike që janë të domosdoshme për një mësimdhënie profesionale, do të ngriheshin biblioteka me literaturë të pasur në secilin fakultet, do të ishte bërë pajisja e plotë me bazën kompjuterike etj. Pra, në qoftë se Universiteti i Tiranës do të plotësonte kushtet e nevojshme që duhet të ketë një universitet, atëherë këta 20 mijë studentë që “fluturojnë” çdo vit dhe lënë “qimet e kokës” për t’u shkolluar në Perëndim, do të qëndronin në Shqipëri dhe do të ishin një kontribut i jashtëzakonshëm për arsimin e lartë në vend.
Sa paguajnë studentët tanëTarifa e studimit që paguajnë studentët në fakultetet e Universitetit të Tiranës varion nga 125 mijë lekë deri në 300 mijë lekë të vjetra, në varësi të fakultetit. Në fakt kjo është një tarifë tepër e ulët po ta krahasojmë me atë që paguajnë në universitetet e huaja, që shkon në disa mijëra dollarë ose euro në vit.