Nuk shkelet Kushtetuta
Mbledhja e tryezës së djathtë para miratimit të kodit të ri zgjedhor duket se do të luajë një rol të madh në mënyrën sesi do të jetë koalicioni i ardhshëm parazgjedhor i drejtuar nga Partia Demokratike. Deri tashmë, aleatët e djathtë kanë kërkuar njëzëri që të mblidhet sa më shpejt një tryezë e djathtë, por vetëm Partia Republikane ka përcaktuar një afat kohor. Sipas deklarimeve të republikanëve, kjo tryezë duhet të mblidhet para datës 15 nëntor, datë në të cilën është parashikuar edhe votimi për kodin e ri zgjedhor. Kjo kërkesë vjen, sepse kjo forcë politike e kundërshton me forcë ligjin zgjedhor, në të cilët sipas tyre, nuk u krijohet hapësira forcave të vogla politike. Tri pikat kryesore që “shqetësojnë” të paktën aleatët e djathtë, është pikërisht mënyra sesi do të shpërndahen mandatet parlamentare, funksionimi i koalicionit të përbërë dhe si do të jetë administrata zgjedhore. Përfaqësuesi i republikanëve në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Arian Madhi, thotë për “Korrierin” se çfarë do të propozohet në tryezën e djathtë për sa i përket çështjes së shpërndarjes së mandateve, e cila mbetet një çështje delikate dhe shumë e rëndësishme, sidomos për partitë e vogla. “Në lidhje me formulën e shpërndarjes së mandateve brenda këtyre koalicioneve, do të jetë një formulë që do të marrë parasysh edhe një lloj korrektimi në shkallë kombëtare të votave të fituara nga secili subjekt. Për shembull, nëse ky koalicion ta zëmë ka marrë 70 mandate, atëherë nga votat që kanë formuar 70 mandatet do të përcaktohen se sa vota duhet për një mandat. Pra, ky është sistemi proporcional. Mbi bazën e këtij sistemi, secila parti politike do të marrë mandatet për të cilët ka kontribuar me votat e saj. Ky korrektim do të shmangte çdo lloj deformacioni në lidhje me “Dushkun” apo hibridë të tij. Pra, çdo parti politike do të marrë në mënyrë korrekte, në përputhje me votat e saj, mandatet në Kuvend. Kjo është pjesa e parë për të cilën PR-ja nuk ka dyshim, por pret dhe i kontribuon procesit në një vendimmarrje pozitive në lidhje me këtë fakt. Pra, funksionimi i koalicioneve të përbërë dhe shpërndarja e votave në një sistem proporcional brenda koalicionit”, thotë Madhi. I pyetur nëse kjo formulë e cila korrekton sistemin shkel Kushtetutën, Madhi e mohon në mënyrë kategorike. Sipas tij, për aq kohë sa votimi do të jetë proporcional rajonal dhe mandati do të merret në atë rajon po nga ata që kanë kandiduar aty dhe jo nga të tjerë, atëherë nuk ka asnjë shkelje kushtetuese. Për këtë çështje, Madhi thotë se është marrë parasysh dhe është bërë shumë kujdes që të mos ketë shkelje kushtetuese. Ndërkaq, për sa u përket diskutimeve në tryezën e djathtë, Madhi thotë gjithashtu, se Partia Republikane është e përgatitur për një diskutim politik dhe teknik në kuadrin e reformës zgjedhore. Ndërkohë, Komisioni i Reformës Zgjedhore këtë javë do të diskutojë për formulën e shpërndarjes së mandateve, ndërsa nga ana tjetër, aleatët e djathtë po rrisin presionin mbi kryeministrin Sali Berisha, në mënyrë që ai t’i thërrasë ata për të diskutuar për këtë çështje.