Thikë pas shpine

Shefi i diplomacisë serbe vazhdon kërcënimet ndaj Podgoricës
Njohja e Kosovës nga Mali i Zi do të ishte një “thikë pas shpine” jo vetëm për Serbinë, por edhe për përpjekjet diplomatike për të zgjidhur statusin e ardhshëm të Kosovës. Ishin këto fjalët e shefit të diplomacisë serbe, gjatë një konference për shtyp dje në Beograd, ku paralajmëroi edhe një herë Podgoricën që të mos e njohë pavarësinë e shpallur në 17 shkurt të Kosovës. “Ne nuk shohim ndryshe, por për atë që do të ishte një thikë pas shpine për Serbinë dhe përpjekjet tona diplomatike për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe të ligjshme mbi statusin e ardhshëm të provincës jugore të Kosovës”, - tha Vuk Jeremiç, pas takimit me homologun e tij estonez, Urmas Paet. Sipas tij, Serbia nuk do të qëndrojë duarkryq nëse Mali i Zi vendos të njohë Kosovën. “Një gjë e tillë nuk mund të kalojë pa pasoja, veçanërisht në një moment të tillë. Ne nuk duam të kërcënojmë askënd, edhe pse çdokush në rajon e di se çfarë do të thotë kjo. Edhe qeveria malazeze është në dijeni”, - shtoi ministri i Jashtëm serb. Jeremiç tha se Beogradi ua ka bërë të qartë zyrtarëve në Podgoricë se nuk do të tregojë mirëkuptim ndaj vendimit të tyre potencial për të dhunuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. “Ne kemi jetuar në të njëjtin vend për një kohë mjaft të gjatë dhe e njohim njëri-tjetrin shumë mirë që të japim shpjegime të mëtejshme. Ne shpresojmë që Podgorica nuk do të ndërmarrë një veprim të tillë, që të shqetësojë këtë proces diplomatik paqësor, i cili po kalon përmes një faze tepër të rëndësishme dhe momenti më i rëndësishëm do të jetë pikërisht votimi nesër në OKB”, - vazhdoi ai. Sipas tij, Podgorica duhet të shtyjë vendimmarrjen për pavarësinë e Kosovës, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendimin e saj. Jeremiç shtoi se është mjaft optimist për votimin që do të mbahet nesër në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, lidhur me kërkesën e Serbisë për të kërkuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. “Nëse rezoluta miratohet, asgjë nuk mund të pengojë iniciativën tonë”, - tha ministri i Jashtëm serb. Ai pranoi se pret që nesër të ketë një debat të nxehtë në Asamblenë e Përgjithshme, por se është shumë optimist sa i përket votimit. Jeremiç, i cili u nis dje për në Nju Jork në krye të delegacionit serb në takimin e nesërm, theksoi se para sesionit do të mbajë rreth 20 takime bilaterale, me përfaqësuesit e vendeve që mbështesin iniciativën e Serbisë.