Ryshfetet, pranga policit
TIRANË - Mitmarrja ka çuar në pranga një punonjës policie. Qamil Brahja, 27 vjeç, është vënë në pranga nga kolegët e tij të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Burime të besueshme policore bënë të ditur se shkak për arrestimin e specialistit të Seksionit Kundër vjedhjeve të Automjeteve është bërë një denoncim i një qytetari, i cili ka futur në grackë Brahjen, pasi ky i fundit i kishte kërkuar shumën prej 500 mijë lekësh të reja për të zhbllokuar automjetin pa dokumentacionin e rregullt të djalit, pasi e kishte shoqëruar në komisariat. Përveç akuzës së mitmarrjes, policit 27-vjeçar i është shtuar edhe akuza e mosprocedimit penal ndaj një personi, për të cilin dyshohet se i ka marrë një shumë të konsiderueshme parash, ngjarje kjo në hetim e sipër dhe ende e padokumentuar.
MitmarrjaDisa ditë më parë, duke ushtruar atributet që i jep detyra, Brahja kishte ndaluar një djalë të ri, i cili nuk kishte pasur dokumentacion të rregullt të makinës. Përveçse ka bllokuar makinën, të cilën e ka çuar në ambientet e komisariatit, polici ka shoqëruar në komisariat edhe drejtuesin e automjetit, pasi ai ka kundërshtuar bllokimin e makinës. Deri këtu gjithçka ka qenë brenda normave të ushtrimit të kompetencave të tij si punonjës policie. Por nuk ka zgjatur shumë dhe polici i ka kërkuar djalit të ndaluar që do t’i zhbllokonte automjetin, vetëm nëse ky i fundit do t’i jepte 500 mijë lekë të reja. Sipas burimeve, mësohet se pas disa orësh djali ka dalë nga dhomat e komisariatit dhe kur ka shkuar në shtëpi, i ka treguar të atit në lidhje me ryshfetin që i ka kërkuar polici. Me të marrë vesh lajmin, i ati u është drejtuar specialistëve të SHKB-së në lidhje me mitmarrjen. Këta të fundit kanë nisur menjëherë hetimin.
ArrestimiPo sipas të njëjtave burime të besueshme të policisë, thuhet se për ta “kapur me presh në dorë”, kolegët e kanë këshilluar të atin që të shkonte të takonte Brahjen. Prindi ka ndjekur këshillën dhe është paraqitur në komisariat, ku ka kërkuar të takojë Qamil Brahjen. Pasi kanë nisur të flasin, babai i djalit ka nisur të negociojë me të në lidhje me çmimin, dhe pas disa minutash 27-vjeçari e ka ulur pazarin në 200 mijë lekë të reja. Pasi në dukje kanë rënë dakord me njëri-tjetrin, prindi është larguar, për ta lënë Brahjen në duar të efektivëve të SHKB-së, të cilët e kanë vënë në pranga kolegun, pas komunikimit të akuzave.