E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo-Ceka, bisedime për Polin e Tretë

E majta vazhdon intensivisht takimet e saj në lidhje me koalicionet e ardhshme parazgjedhore. 

Aristir Lumezi

Dje kreu i PDS-së, Paskal Milo dhe kryealeancisti Neritan Ceka, në një takim informal kanë ndarë pikëpamjet në lidhje me pozicionimin e tyre pas përfundimit të Kodit të ri Zgjedhor. Gjatë takimit mësohet se bashkëbiseduesit kanë paraqitur opsionet e tyre rreth koalicioneve të ardhshme, të cilat në varësi dhe të vullnetit politik për bashkëpunim nga partitë e mëdha, do të përcaktojnë vendosjen e partive. Pas ftesës së bërë edhe kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushi, Milo pritet të ndajë sot opsionet e tij në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm opozitar, por dhe mundësinë e një poli të tretë. Kreu i PDS-së shoqërohej dje në takimin me Cekën nga sekretari politik i kësaj partie, Artur Duçkallari, ndërsa kryealeancisti kishte në krah të tij nënkryetarin, Arben Demeti. Mësohet se Ceka ka vlerësuar suksesin e deritanishëm të koalicionit “E majta për Integrim”, i cili doli fitues në zgjedhjet e pjesshme të Kasharit për kryetarin e komunës, duke lënë pas kandidatin e Partisë Socialiste. Por ai nuk ka mohuar edhe ofertën që e djathta dhe vetë Kryeministri Berisha i ka bërë atij për t’iu bashkuar këtij grupimi. Por kryealeancisti nuk përjashton dhe mundësinë e pozicionimit të PAD-së në një pol të tretë, i cili do të përbëhet nga të gjitha partitë e majta, përveç PS-së. Të gjitha opsionet për kryealeancistin janë të hapura, përveç bashkëpunimit me Partinë Socialiste. “Marrëveshja me PS-në është pothuajse e pamundur në momentet kur në krye të saj është një njeri që nuk mban fjalën. Që shkel atë që ka firmosur, jo atë që do të thotë. Nuk na mbetet ne të ruajmë moralin në politikë. Politika është e hapur. Përvoja e fundit e Kasharit tregoi se politika ka interes për një pol të tretë. Çdo gjë do varet nga Kodi. Ndoshta Kodi na lejon të dalim edhe vetëm. Përvoja e deritanishme me LSI-në ka qenë e mirë. Por gjithçka do varet nga negociatat”, tha Ceka. Kreu i PAD-së duke komentuar dhe mundësinë e bashkimit të tij me të PD-në, u shpreh se për një ide të tillë është ende herët. “Ende nuk ka zgjedhur formën e bashkëpunimit me ish-partinë, nëse nevoja për ekzistencë do të diktojë shkrirje ose konfederatë. Nuk jemi futur në këto ujëra. Natyrisht që Pollo është shumë i avancuar duke riformuar PD-në e ‘91-‘92, nuk jemi futur fare në këto ujëra. Nuk jemi futur as në planet e konfederatave as të majta, as të djathta. Është një çështje që i takon kohës dhe që do ngrihet pas 2009-ës, ku do verifikohen qoftë partitë e mëdha, qoftë ato që janë ekzistuese sot”, u shpreh Ceka. Ndërkohë, ideatori i këtij takimi, Paskal Milo, mbështeti idenë e tij të shprehur dhe më parë për të përcaktuar pozicionimin e partisë së tij pas përfundimit të Kodit Zgjedhor. “Kemi të njëjtin mendim se koalicionet do të vendosen pas miratimit të Kodit Zgjedhor. Jemi të hapur të bashkëpunojmë me të gjithë ata që na konsiderojnë partnerë dhe që duan të bashkëpunojnë me ne me një frymë të re dhe të ndershme”, u shpreh Milo. Kreu i PDS-së nuk ka mohuar partneritetin e suksesshëm me LSI-në dhe mundësinë e bashkëpunimit me të dhe në të ardhmen mbi bazën e një marrëveshje të shkruar. “Vazhdojmë ta konsiderojmë LSI-në një partner serioz dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në interes të PDS-së, por asnjë koalicion nuk mund të ekzistojë pa një marrëveshje të shkruar”, tha Milo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›