E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Aleancë edhe me Ilir Metën

 

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, u shpreh dje në një intervistë për “Alsat” se, nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit me LSI-në nëse kjo parti nuk shkon e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Nëse kodi i ri zgjedhor nuk do të favorizojë daljen vetëm të LSI-së në zgjedhjet e 2009, do të shohim një bashkëpunim të mundshëm me këtë forcë politike”, u shpreh Ndoka. Deklarata e Ndokës vjen pas asaj të nënkryetarit të LSI-së Xhufi, i cili nuk përjashton mundësinë e koalicioneve jashtë kornizave ideologjike. Por Ndoka në intervistën e tij jep vlerësimin e tij edhe për situatën brenda kampit të djathtë.  “Partia Demokratike nuk do të ketë të lehtë të bashkojë të djathtën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pavarësisht lehtësisë që shfaqin drejtues të saj në deklaratat e tyre publike. Ndoka e cilëson konfuze situatën brenda së djathtës, për shkak të sjelljes së demokratëve. Ai vlerëson se forca kryesore që qeveris vendin ka qenë e pasinqertë me aleatët. Duke iu referuar tre vjet qeverisjes të së djathtës, kreu demokristian, i larguar para pak kohësh nga drejtimi i Shëndetësisë, u shpreh se një mandat tjetër është i dyshimtë, nëse deri në zgjedhje nuk do të ketë ndryshime të dukshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›