Xhufi: Jemi për koalicione jashtë kontureve ideologjike
Nënkryetari i LSI-së dhe njëkohësisht kryetar i grupit të saj parlamentar, Pëllumb Xhufi, tha dje se e ardhmja e koalicionit të deritanishëm mund të shtrihet edhe përtej kontureve ideologjike, duke nënkuptuar se mund të ketë edhe bashkëpunim me parti të spektrit të djathtë. Por nënkryetari i LSI-së vlerësoi dje se koalicioni “E majta për Integrim” ka qenë një koalicion i hapur, i cili u provua në zgjedhjet e pjesshme në Kashar. Lëvizja Socialiste për Integrim edhe më herët ka pranuar se nuk përjashton bashkëpunimin me parti të koalicionit qeverisës, ndonëse deri më tani nuk ka pasur asnjë takim apo kontakt zyrtar. Nënkryetari i LSI-së i konsideroi të pranueshme kontaktet që partitë opozitare bëjnë në lidhje me pozicionimin e tyre pas përfundimit të Kodit Zgjedhor. “Me Cekën kemi qenë në beteja të përbashkëta dhe shpresojmë që të kemi prapë beteja të përbashkëta”, tha Xhufi. Negociatat mes partive opozitare për Kodin zgjedhor do të përcaktojnë dhe mënyrën se si këto parti do të dalin në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Por LSI ka hedhur poshtë propozimin e socialistëve për koalicione të përbëra, duke i quajtur ato si “koalicione bishtash”. Sipas kreut të LSI-së, Ilir Meta, kjo parti nuk do të bëhet pjesë e marifeteve për Kodin Zgjedhor dhe do të ndërtojë vetëm koalicione principesh dhe vlerash.