Me Teutën do të jetë fitore vazhdimësie dhe rikonfirmimi
Është mesfushori Ledjon Muçaj, që përcjell këtë frymë optimizmi të bardhejeshilëve për ndeshjen e radhës në kampionat, me djemtë e detit
Me kalimin e ditëve, jehona e fitores ndaj Kamzës është zbehur dhe fierakët fokusohen gjithnjë e më tepër drejt ndeshjes së ardhshme. Është rrjedha e kampionatit, që ta dikton diçka të tillë dhe, tanimë, triumfi ndaj skuadrës së periferisë së kryeqytetit i përket arkivës së këtij sezoni. Apolonia e ka orientuar ekuipazhin e vet drejt një akti tjetër, që kërkon finalizim fituesi, pikërisht ndaj djemve të detit.
Pavarësisht se do të luhet në Loni Papuçiu, fierakët kanë një vlerësim maksimal ndaj kundërshtarit të radhës, pasi Teuta e Durrësit ka gdhendur një portret serioz dhe pretendenti gjatë këtyre katër javëve të para.
Ndoshta bardhjeshilët e ekzagjërojnë paksa, teksa e cilësojnë këtë takim si më të vështirë se sa me Kamzën, në fushën e kësaj të fundit, ndonëse ky tregues fakton që tek Apolonia qëndrojnë me këmbë në tokë dhe nuk ka asnjë vend për eufori.
Ndonëse sipari i kësaj ndeshjeje do të ngrihet javën e ardhshme, fierakët vijojnë të djersijnë gjatë seancave stërvitore dhe e kanë të qartë objektivin: fitore ndaj durrsakëve. Ky besim është kryefjala, që gëlon në të gjithë kampin fierak. Është mesfushori Ledjon Muçaj, që përcjell këtë frymë optimizmi të bardhejeshilëve.
E kemi vlerësuar në maksimum Teutën, sepse është një skuadër që meriton respekt. Durrsakët kanë një fizionomi të qartë në këtë sezon dhe janë ndër skuadrat që kanë objektiva madhorë. Vijnë pas një fitoreje me një skuadër të forte, siç është Bylisi, dhe do të kërkojnë që të kenë vazhdimësi edhe në fushën tonë.
Ndërkohë, duhet theksuar se edhe ekipi ynë vjen pas një pozitiviteti shumë të vlerësuar në transfertën e Kamzës dhe nuk mund të tolerojmë, duke bërë sërish hapa fals në fushën tonë, sikurse ndodhi me Laçin, një barazim që na ka nxjerrë mësime të vlefshme. Na ka motivuar fitorja në transfertë dhe kemi kapur ritmin e duhur.
Nuk do të lëshojmë, ndonëse do të ishte mirë që ndeshja të ishte luajtur këtë javë. Megjithatë, kohën që kemi në dispozicion do ta shfrytëzojmë më së miri, në mënyrë që të arrijmë vetëm një rezultat ndaj Teutës: fitoren. Është kjo, fryma që na ka karakterizuar gjatë gjithë këtyre ditëve.
Me një trajner si Nica, ne do të tregojmë për të gjithë se si fitohet kundër Teutës. Do të jetë një fitore vazhdimësie dhe rikonfirmimi, – është deklaruar për Sportin shqiptar mesfushori i Apolonisë, Ledjon Muçaj.
Të tilla sjellje nuk kanë asnjë lidhje me qytetarinë fierake
Pasditen e së enjtes, drejtuesit më të lartë të klubit fierak kanë dalë në një konferencë për shtyp, në lidhje me masën e dënimit që ka dhënë Komisioni i Disiplinës, nisur nga ajo që ndodhi përgjatë ndeshjes Apolonia-Laçi. Disiplinorët e kanë dënuar me shumën prej 700 mijë lekësh klubin fierak, pikërisht për hedhje të sendeve të forta në fushë dhe për fyerjet në kor, çka janë vlerësuar si akte të pajustifikueshme dhe pa lidhje me nivelin e qytetërimit të sotshëm. Ka qenë kryedonatori i skuadrës fierake, Koço Kokëdhima, i cili ka apeluar për tu thënë stop! fenomeneve të tilla, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me sportdashësin real të Apolonisë dhe me qytetarinë fierake. Apolonia mori një dënim për hedhje të sendeve të forta në fushë dhe për sharje në grup në shkallët e stadiumit. Për të dyja këto problem u ndëshkuam me shumën prej 700 mijë lekësh. Nuk është aspak interes ekonomik, përkundrazi, shumë e madhe për klubin tonë, për të paguar gjoba dhe penallti të tilla, sidomos në një vit të vështirë, ku ne mund ta përdornim këtë buxhet për investime të ndryshme, që do ti shërbenin interesit dhe qëllimit të skuadrës. Ne i kemi të gjitha mundësitë për ti lënë jashtë gardhit këto akte, por nuk dëshirojmë që të marrim masa të tilla. Të gjithë jemi të intersuar për mbarëvajtjen e Apolonisë dhe jo për shfaqje të tilla, të cilat, përveçse shëmtojnë imazhin e skuadrës, nuk kanë asnjë lidhje edhe me qytetarinë fierake, – ka theksuar kryedonatori i Apolonisë, Koço Kokëdhima.
Ndërkohë, më i drejtpërdrejtë dhe më apelues ka qenë presidenti i fierakëve, Baftjar Zeqaj, i cili është shprehur: Janë shfaqje të shëmtuara dhe absolutisht të papranueshme me mentalitetin tonë. Nëse u pëlqen ndeshja, të vijnë, të brohorasin, nëse nuk u pëlqen, të mos vijnë në spektakël. Ky grupim njerëzish as që e ka pasur parasysh dhe as që është intersuar se në cilat nivele ka qenë Apolonia, por ka dhënë shfaqje të tilla, tërësisht groteske. Sot Apolonia kërkon të konkurojë dhe po konkuron vrullshëm në kampionatin shqiptar, një ekip i ri, me grintë, me dëshirë, por ky grup njerëzish nuk vepron mbi parimet e një tifozërie të qytetëruar, të lidhur ngushtë me skuadrën dhe interesat e saj.
