Rubio: Kjo Tiranë i ka të dyja, golat dhe lojën e bukur
Tekniku spanjoll i bardhebluve kërkon të arrijë maksimalen gjatë këtyre ditëve ndërprerjeje të kampionatit, duke rikuperuar edhe lojtarët e dëmtuar
Tirana i është rikthyer stëvitjes dje, pas tri ditësh absolutisht pushim, si për stafin, edhe për futbollistët. Trajneri spanjoll i bardhebluve, Hulian Rubio, bashkë me ndihmësit e tij, dje e kanë udhëhequr skuadrën nga Kodrat e Liqenit Artificial për stërvitje. Procesi stërvitor ka filluar në orën 10:00 dhe ka përfunduar ekzaktësisht 2 orë e 30 minuta më pas.
Rubio i ka drejtuar lojtarët drejt kodrave, ku kanë aplikuar vrapimet e gjata, por nuk kanë munguar edhe ushtrimet e ndryshme aerobike. Bardheblutë, ndeshjen e javës së katërt të kampionatit e luajtën të dielën, ndaj Flamurtarit, ku fituan me rezultatin e pastër 2-0.
Nga dita e hënë deri të mërkurën, Rubio u pati dhënë tri ditë pushim të tijve, me qëllim që të shlyente dhe një ditë, që i kishte mbajtur futbollistët në stërvitje, javën e kaluar. Pas seancës stërvitore të djeshme, kreu i pankinës bardheblu, për Sportin shqiptar deklaroi: Sot (dje) kemi filluar nga përgatitja, pas tri ditë pushimi. Në këtë periudhë na kanë favorizuar dy ndeshjet e kombëtares për të bërë edhe pak pushim.
Ua kisha broxh një ditë pushim lojtarëve të mi, ndaj i lashë të çlodheshin në mënyrë absolute këto tri ditë. Sot i kam grumbulluar dhe, siç e shikoni, jemi duke përfunduar seancën stërvitore këtu. Kemi edhe 10 ditë në dispozicion që të stërvitemi sa më mirë për ndeshjet në vijim, kështu që e vlerësoj si një minifazë përgatitore kohën e mbetur deri në ballafaqimin me Vllazninë.
Kjo periudhë do të na shërbejë të rikuperojmë shumë gjëra në kampin tonë. Për sa u përket disa problemeve, që kanë pasur futbollistë si Bala apo Karabeci, ata do të bëhen më mirë këto ditë dhe them se do të vijnë në formë të shkëlqyer. Po kështu, kjo periudhë ndërprerjeje e kampionatit do ta kolaudojë më së miri Tiranën, e cila do të udhëtojë në top-formë drejt Shkodrës, por do të kapë maksimumin e saj edhe për ndeshjet e tjera të kampionatit dhe të kupës.
Sa i takon shortit të kupës, që u hodh para pak ditësh, mund të them se për fazën në grupe nuk do të kemi ndonjë problem. Tashmë e njoh kampionatin shqiptar, po ashtu edhe skuadrat që do të kemi në grupin kualifikues të kupës, sepse i kam ndjekur në mënyra të ndryshme. Mendoj se gjithçka në grupin tonë do të flasë në favorin e Tiranës, sepse nuk kemi kundërshtarë që mund të na sjellin probleme. Megjithatë, askush nuk duhet nënvlerësuar.
Lidhur me performancën tonë në katër javët e para të kampionatit, jam i kënaqur, përjashto atë paraqitje të dobët në ndeshjen e parë. Tashmë jemi në krye, me 9 pikë, kështu që nuk mendoj se ka diçka për tu shqetësuar. Ia kemi dalë shumë mirë në tri ndeshjet pasuese, ku kemi rikuperuar e hapin fals ndaj Teutës, kështu që jemi në rrugë të mbarë.
Vlerësimi im është pozitiv për skuadrën që drejtoj, e them me kënaqësi që Tirana po demonstron një nivel të lartë, sepse nuk prodhon vetëm gola, por zhvillon edhe lojë të bukur, – përfundon tekniku spanjoll i 24 herë kampionëve të vendit.
Tirana është stërvitur dje nga Kodrat e Liqenit. Përbërja e skuadrës ka qenë e plotë, përjashto ata që janë angazhuar me kuqezinjtë, pasi nuk ka mungesa për arsye dëmtimesh apo shëndetësore.
Bardheblutë bëjnë pjesë në Grupin A të Kupës së Shqipërisë, bashkë me Laçin, Shkumbinin dhe Apoloninë. Ajo është kualifikuar në fazën në grupe, pasi ka mundur dy herë radhazi Himarën.
