E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me antikonformizim, Ema Andrea

Ema Andrea eksperimenton me Neritan Liçajn. Të dy aktorët më të spikatur në pesë vitet e fundit, që kanë treguar jo vetëm disiplinën artistike, por me rolet e tyre të japin leksionin më të mirë si mund të shfaqet një aktor.

Por këtë herë në vijën e parë të skenës “mbretëresha” ka qenë Ema Andrea. Në pozicionin e regjisorit ajo ka realizuar mbrëmë shfaqjen “Me syrin e një klouni” të shkruar nga Hejnri Bël. Përballë spektatorëve ka qenë aktori i vetëm në skenë, Neritan Liçaj. Vepra është e përshtatur si dramë nga përkthyesi i kësaj vepre në gjuhën shqipe, Ardian Klosi. “Me syrin e një klouni” është botuar në shqip, për herë të parë në vitin 1985 por edhe pse me disa pjesë të censuruara, vepra pati jehonë të veçantë në rininë dhe intelektualët shqiptarë të kohës. Është drama e artistit të përjashtuar nga shoqëria, familja, e dashura dhe qarqet kishtare për arsye të antikonformizmit dhe rebelimit ndaj normave sunduese në shoqërinë e mirëqenies ekonomike dhe botës të show-biznesit, për arsye të mospajtimit me fshehjen dhe shtrembërimin e së kaluarës. Kjo shfaqje vihet për herë të dytë në skenën pas ekzekutimit të saj të parë në tetorin e kaluar. Këtë herë ajo do të shoqërohet nga botimi i plotë në gjuhën shqipe i romanit të Heinrich Boll-it. Ky aktivitet është organizuar në kuadër të “Tetorit Gjerman 2008”, një projekt me një agjendë të pasur veprimtarish kulturore, që do të organizohen në vendi tonë deri në datën 2 nëntor, me rastin e 20-vjetorit të bashkëpunimit për zhvillim Shqipëri-Gjermani. Ishte data 21 tetor e vitit 1988, kur Republika Federale e Gjermanisë dhe Shqipëria firmosën një marrëveshje bashkëpunimi teknik. Në atë kohë projektet fillestare ishin të pakta mes dy vendeve, por gjatë dy dekadave bashkëpunimi për zhvillimin mes dy vendeve është rritur e forcuar. “Javët e Kulturës Gjermane” në vendin tonë i bashkohen dhe javëve të kulturës italiane dhe asaj spanjolle, që kanë ditë që kanë startuar në metropolin shqiptar. Autori i tij, Heinrich Boll, i lindur në vitin 1907 dhe vdes në 1985-n, ishte cilësuar si një ndër autorët më të shquar të letërsisë gjermane pas luftës para përkthimit të kësaj vepre para përkthimit të tij në shqip. Në vitin 1972 shkrimtari Boll triumfon me çmimin “Nobel” për letërsinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›