“Tirana i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka një buxhet”

Reagon Partia Demokratike
TIRANE - “Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka buxhet”. Kështu u shpreh dje zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, gjatë një konference për shtyp. Ai vuri në dukje se Tirana, qyteti më i madh i Shqipërisë dhe kryeqyteti i saj është qyteti i vetëm europian dhe i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka buxhet dhe nuk realizohet lëvrimi i fondeve për këtë vit. “Tirana është jo vetëm qyteti më i madh Shqipërisë por edhe kryeqyteti i Shqipërisë. Por mbi të gjitha është qyteti që nuk ka buxhet. Është qyteti i vetëm Evropian, meqë aspirojmë të bëhemi anëtarë në familjen e madhe evropiane, por i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka një buxhet.
Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka buxhet dhe pse nuk ka një buxhet, sepse gjithë shqiptarët e panë në shfaqe ‘live’, sa komike aq dhe tragjike, të Këshillit Bashkiak dhe të kryetarit të bashkisë i cili demonstroi arrogancë dhe vetëm interesat e ngushta personale. Ai jo vetëm nuk dëgjoi këshilltarët e Tiranës, të cilët janë zgjedhur nga qytetarët e Tiranës për të bërë politikën e qytetit të Tiranës, por në arrogancë maksimale injoroi propozimet e tyre”, u shpreh Bogdani.
Sipas zëdhënësit të selisë blu buxheti nuk u votua sepse kryetari i bashkisë me arrogancën e tij nuk pranoi ndryshimet. “Një gjë të tillë ai e bën duke lënë qytetin pa buxhet. Është një problem, serioz sepse shfaqja e radhës në këshillin bashkiak tregoi një politikë të vjetruar dhe jo një politikë të re siç pretendon zoti Rama. Ai i bëri të qartë jo vetëm qytetarëve të Tiranës që po ndiqnin buxhetin, por të gjithë qytetarëve të Shqipërisë politikën e pëlqyer prej tij, alla Staliniste, ‘ju votoni dhe unë numëroj’”, shtoi më tej zëdhënësi i PD-së.
Partia Demokratike i bën thirrje kryebashkiakut që mbledhjen e ardhshme të Këshillit, të qetësohet, të reflektojë dhe të marrë parasysh sugjerimet e këshilltarëve.