“Më dukej vetja si në burg”, historia e Eris Ajazit, djalit jetim: “Thoja me vete kur do të shpëtoj”

Familja për fëmijët është vendi ku varen shpresat dhe tempulli mbrojtës për to. Eris Ajazi është një i ri i cili është rritur pa kujdesin prindëror dhe kujtimet e tij janë ato nga jetimorja ku me dashuri kujton edhe kujdestaret e tij që e rritën. Në një intervistë për emisionin ‘Jetë Shqiptare” në RTSH 1, Eris Ajazi flet për jetën e tij në jetimore, për momentet e bukura apo jo të cilat atij i janë ngulitur në mendje.
“Fëmijëria ka qenë shumë e vështirë ka pas momente gri, ka pas momente me ngjyra por më shumë mbaj mend momentet gri. Kur kam qenë në jetimore kam përjetuar shumë ndjesi të ndryshme por gjithmonë thosha kur do shpëtoj nga kjo gjë, se në fillim më është dukur si një burg. Pastaj gradualisht duke pasur mbështetjen e dy edukatoreve shumë të mira dhe duke u socializuar dalëngadalë u mësova. Kujdestaret e mia më kanë ndihmuar të dal nga ai lloj bataku sepse në fillim kam qenë një fëmijë i tërhequr sepse nuk isha një fëmijë shumë i socializuar sepse dhe vet frika, vet jeta dhe njerëzit që shihja thosha si do ja dal unë. Kam përjetuar gjëra të mira dhe të këqija. Gjërat e mira kanë qenë që mësova të bëj punë shtëpie të fshij, të laj, të pastrojë”, tha Eris Ajazi.
/rtsh.al/