Revolta kundër rregullit

Jean Genet dhe Carlo Collodi në teatrin e poezisë. Enton Kaca inskenon një histori nga montazhi i "Ditari i në hajduti" dhe "Aventurat e Pinokut".
Dy djem adoptivë në kërkim të së keqes për të jetuar jashtë rregullave të shoqërisë.
Me "Ditari i një hajduti" i Jean Genet-së dhe "Aventurat e Pinokut" i Carlo Collodi-t, Enton Kaca inskenon një histori i shtyrë nga emocionet, imazhet dhe idetë që i ka ngjallur dikur leximi i dy veprave.
Trajtimi i dy teksteve jodramaturgjike është bërë në linjën e teatrit të poezisë ku veprimi tregohet dhe karakteret tregojnë veten. Kaca kështu e ka parë hapësirën teatrale edhe në raste paraardhëse me autorë shqiptarë.
Zgjedhja e një autori skandaloz si Jean Genet (1910-1986) me autobiografinë e "Ditarit..." dhe i një vepre fabuloze si "Pinoku" kanë një të përbashkët e cila shpjegon pse regjisori i ka zgjedhur.
Një hero i botës moderne dhe një hero i imagjinatës janë të tillë për shkak të ikjes nga rregullat dhe ligjet që kanë krijuar masat. Genet-ja 16-vjeçar për të cilin flet në "Ditar", një i poshtër, hajdut, pederast dhe Pinoku që bën të kundërtën e fëmijëve të mbarë, janë "fëmijë adoptivë" të shoqërisë dhe shoqëria është për ta një instrument që synon të korrigjojë natyrën njerëzore, t'i bëjë të kundërt nga ç'janë.
Regjisori tregon në intervistë se përse këto tipare i bëjnë dy antiheronjtë tërheqës dhe individë.
"Ditari i një hajduti ose Pinoku" shfaqet premierë më 25 qershor, vazhdon dhe dy ditë më pas, ora 19-00 në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar. Në role: Dorian Ramaliu, Orjon Halili dhe Rael Hoxha.
Para se të gjente mbështetjen e Kompanisë Digitalb dhe Pro Helvetia, Entoni e kishte nisur projektin në mënyrë të pavarur, pa asnjë fond, me dy aktorë të rinj bashkëpunëtorë të tij dhe një amator.
Çfarë historie do të tregosh nesër?
Është një projekt i nisur në mënyrë indipendente. Bazohet në tekstet e Jean Genet-së, libri autobiografik "Ditari i një hajduti" dhe "Aventurat e Pinokut" i Carlo Collodit. Kisha një dëshirë për të ritreguar edhe njëherë aventurat e Pinokut sipas një prizmi personal.
Kurse Genet-së, një personalitet i çuditshëm kontroversial i kulturës të letrave dhe i filozofisë dhe gazetarisë evropiane, t'i referohem për rrëfimin bruto, të palatuar, të pakontrolluar për çfarë ka qenë jeta e tij për një periudhë nga vitet 30-40.
"Ditari..." i tij është arratisje nga një botë siç ka qenë atë periudhe Europa drejt një bote që quhet e keqe, botë e basifondeve ku përfshihen karaktere të ndryshme, lypësit, prostitutat, homoseksualët, vrasësit, njerëz që priren drejt aventurave, bixhozit, krimeve. Për mua ky ishte një libër frymëzues për të treguar pikërisht Pinokun.
Edhe ky personazh që është një individ i veçantë që nuk e përfshin kultura e masës, nuk është djali i vogël që shkon në shkollë, që shkon të dielën në kishë me prindërit që ndjek me verbëri urdhërat e babait. Është një individ që niset të zbulojë një botë të re duke u nisur nga çfarë ai është.
Si lidhen dy veprat dhe dy autorët?
Në këto dy paralele është ndërtuar një shkrirje e teksteve. I jam referuar Pinokut si fëmijë i cili ka disa impresione në kokë nga disa skena që i kanë bërë përshtypje kur e ka lexuar veprën për herë të parë.
Janë tre fëmijë, tre djem, tre individë që tregojnë një histori të përbashkët. Është historia e aventurave të Pinokut dhe e Jean Genet-së. Janë tekste të montuara, të rishkruara, është përdorur fantazia personale për të transformuar skena dhe për të krijuar një linjë teatrale.
Çfarë i thotë kohës?
Pjesa nuk ka një referencë kohore, por ka një shqetësim të vazhdueshëm, personal në lidhje me uniformizimin e shoqërisë, e një lloj fabrikimi të kulturës së masës, shoqërisë e cila është e cekët, e njëtrajtshme, pa larmi, stile, ngjyra.
Rinia në këtë moment në Shqipëri është e këtillë. Pinoku përfaqëson një njeri të pagdhendur që braktis konceptet institucionale të familjes, shkollës dhe hidhet drejt botës së panjohur. Njerëzit kanë dëshirë t'i japin mësime atij, ta drejtojnë në rrugë të vërtetë, duke tentuar transformimin e tij nga ai që është, ta kthejnë në një individ falsë.
Gjithë linja dramatike që ndërton Collodi, peripecitë mendohet t'i japin Pinokut një ndërgjegje që s'ekziston sepse ai është kukull druri.
Rrëfimi ecën në gjurmët e Genet-së, me arratisjen nga vendi ku ai jeton, udhëtimet në shtete të ndryshme, përfshi dhe Shqipërinë. Ai shpreh "paturpësisht" atë që është. Është deklaruar homoseksual në atë periudhë dhe hidhet në mënyrë të egër drejt një bote të panjohur, hyn drejt saj nëpërmjet disa shtigjeve si vjedhja, prostitucioni.
Gjithë ky lloj kontroversi i jetës së tij më është dukur i çuditshëm për një njeri i etiketuar si personifikim i të keqes, dhe njëherësh njeri i pavarur, shumë i rëndësishëm i kulturës europiane.
Janë shumë episode dhe personazhe. Çfarë u kërkohet këtyre tre aktorëve?
Ideja e kësaj lloj forme teatrale ka qënë që mos të fokusoheshim tek një formë e përgjithshme e stilit por të ndërthurnim elemente pa respektuar konvecione skenike apo tendenca teatrore.
Tre aktorët ndërrojnë personazhe sipas historisë që ata tregojnë, njëherë janë Pinoku, njëherë macja, apo gjykatësi etj. Këto transformime bëhen duke thyer konvencionin Physique du Role i cili vendos në mënyrë fatale identitetin e një personazhi nëpërmjet pamjes fizike të një aktori.
Aktorët marrin përsipër kështu edhe rolin e autorit, poetit, personazhit, duke u hedhur nga një situatë në tjetrën pa u vënë në vështirësi nga konvencioni i sipërmendur. Është punuar mbi montazhin teatral, i cili bashkon dhe unifikon aktet, objektet, tekstet, imazhet, tingujt, duke sjelle tek publiku një vepër të shkëputur nga autorët e dy teksteve.
Çfarë e luan rolin e tingujve?
Për kolonën zanore të shfaqjes është zgjedhur muzika e dy artistëve: Vladimir Wisotsky, këngëtar dhe poet anarkist rus, dhe Piero Ciampi kantautor italian shumë i rëndësishëm që nuk pranoi të bëj muzikë për hir të studiove muzikore apo për hir të shijeve të konsumit. Të dy autorë jo të implikuar me kulturën e masës. Kjo është arsyeja pse i kam zgjedhur
Ndërsa ikonografia e shfaqjes është ndikuar nga piktori Francisco Goya, nga fotot e Diane Arbus, Sebastiao Salgado dhe Margaret Bourke-White.
Ti vazhdon të punosh me tekste jo dramaturgjike. Mbetet një fazë kërkimi apo ky është teatri që do të bësh?
Personalisht e shoh shumë të lidhur me teatrin e poezisë. Një lloj forme teatrale që nuk i përfshin karakteret konvencionale të teatrit, e çliruar nga dramaturgjia fikse, nga ajo që quhet burimi bazë i punës në teatër.
Unë kam më tepër mundësi të shprehem në mënyrë më intime prandaj dhe zgjedhja e teksteve ka të bëjë me mua personalisht në radhë të parë, me dëshirën për t'u shprehur nëpërmjet zërit tënd, nëpërmjet imazheve që jetojnë me ty.
Për sa i përket teatrit ka nevojë të ketë më shumë indipendencë dhe te mos shihen gjërat me kontraste kaq të theksuara. Po mundohem të krijoj një hapësirë që paralelisht vizaton një ndjesi personale pa pasur frikën që nesër do etiketohet. Është thjesht teatër: ca aktorë përballë ca spektatorëve.