Me ftesë të Kryeministrit Fatos Nano mbërrin nesër (15 shkurt 2005), në Tiranë, për të zhvilluar një vizitë zyrtare dy-ditore në Shqipëri, në krye të një delegacioni, Kryeministri i Rep
Me ftesë të Kryeministrit Fatos Nano mbërrin nesër (15 shkurt 2005), në Tiranë, për të zhvilluar një vizitë zyrtare dy-ditore në Shqipëri, në krye të një delegacioni, Kryeministri i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Kjo vizite pritet të shënojë një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet e mëtejshme mes dy vendeve tona, ku përveç aspektit politik do të trajtohen në mënyrë të veçantë marrëdhëniet ekonomike dhe tregetare dhe nxitja e hapave konkretë në këtë drejtim. Me këtë rast do të nëshkruhet dhe marrëveshja për transportin detar mes Shqipërisë dhe Turqisë. Në delegacionin turk marrin pjesë përfaqësues të sipërmarrjes private të këtij vendi. Situata në rajon do të jetë gjithashtu në qendër të bisedimeve zyrtare, ndërsa dy autoritetet e larta do të trajtojnë dhe bashkëpunimin e diskutimin e çështjeve që lidhen me integrimin e të dy vendeve në BE.
Në orën 11.00, në Aeroportin "Nënë Tereza", z. Nano do të presë z. Erdogan. Të dy Kryeministrat do të parakalojnë përpara truprojeve të nderit në ceremonialin zyrtar me këtë rast.
Në orën 13.15, z. Nano dhe z. Erdogan do të zhvillojnë në selinë e Kryeministrisë një takim të veçantë (tet-a-tet), i cili do të vijojë me takimin mes dy delegacioneve zyrtare. Në orën 14.30, dy Kryeministrat do të jenë të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së transportit ajror dhe detar midis dy vendeve.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, të dy homologët do të dalin përpara medias një konferencë për shtyp.
Në orën 15.15, dy Kryeministrat do të përshëndesin takimin e Këshillit të Biznesit shqiptaro-turk
Në orën 16.45, z. Erdogan do të takohet me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z.Servet Pëllumbi, ndërsa në orën 17.15 do të mbajë një fjalë përshëndetëse në Parlament.
Në orën 18.00, Kryeministri turk do të pritet në takim nga Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu.
Në ditën e dytë të vizitës, Kryeministri Erdogan ne ora 9.15 do të bëjë homazhe në varrezat "Dëshmorët e Kombit", ku do të vendosë një kurorë pranë monumentit Nënë Shqipëri.
Me pas do te zhvillojë një vizitë në Zyrën e Këshillit dhe Koordinimit të Ndihmës Ushtarake, e cila do të përmbyllë në ora 11.30 dhe vizitën e Kryeministrit turk dhe e delegacionit që e shoqëron.