E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me këmbë të mbarë De Biazi!

/* */

Dash FRASHËRI - Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, bëri dje shërbimin e tij të fundit si komentator, duke bërë komentin teknik të finales së Botërorit të Klubeve, Barcelona-Santos, të fituar 4-0 nga Mesi me shokë. De Biazi ishte në atë koment për Mediaset Premium, së bashku me të mirënjohurin Pierluixhi Pardo. Disa orë më pas, udhëtoi me linjën “Alitalia” dhe preku dje në orët e vona të mbrëmjes për herë të parë tokën shqiptare, ndërkohë që sot në orën 11:00 (në ambientet e FSHF-së), tekniku do të prezantohet zyrtarisht para mediave, i shoqëruar nga Presidenti i Federatës Shqiptarë të Futbollit, Armando Duka.

Pra, një urim i parë i jepet me shumë sinqeritet dhe përzemërsi: “Mirë se erdhe De Biazi! Paç këmbën e mbarë!”. E ky urim shkon edhe për shkak të festave të fundvitit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Trajneri italian 55-vjeçar pason në bankinë kroatin Josip Kuzhe, pas mosrinovimit të kontratës së tij të fundit, për shkak të prishjes konsensuale të marrëveshjes me FSHF-në.

De Biazi është një teknik me përvojë bankine nga viti 1992, në nivel klubesh, duke drejtuar emra të tillë si Torinon, Livornon, Kozencën, Karpin, Modenën, Breshian, Levanten (në Spanjë) dhe së fundi Udinezen (2009, skuadra e tij e fundit). Shqipëria do të ulë në bankinë trajnerin e nëntë të huaj që ka drejtuar kuqezinjtë dhe të gjashtin, që nga viti 2002, kur fillon edhe cikli i dytë i të huajve, qysh kur rusi Nikolaj Ljukshnikov drejtoi vendin tonë në vitin 1959, pavarësisht se zyrtarisht i fundit i huaj njihet hungarezi Miklosh Vadash, në atë miqësore të fituar bujshëm 2-0 kundër Polonisë, me 29 nëntor 1953, me golat e Loro Boriçit dhe Refik Resmjes.

Në 22 mars të vitit 2002, Xhani De Biazi fitoi në Itali çmimin “Bankina e argjendtë”, për ngjitjen e Modenës nga Seria C1 në atë B (“për lojën e shpejtë, dinamike, agresive dhe lojë me topa të ulët”), ndërkohë që “Bankinën e artë” e fitoi Fabio Kapelo, asokohe trajner i Romës. Çmimi u dha nga trajnerët profesionistë në “shkollën e futbollit italian”, Koverçano.

Me një kontratë dyvjeçare në xhep (deri në dhjetor 2013) dhe 300 mijë euro në llogarinë bankare, Xhani De Biazi do ta çojë koston e trajnerëve të huaj që janë ulur në bankinë kuqezi, në 1.6 milionë, duke marrë në konsideratë edhe pagesat për italianin Xhuzepe Dosena (rreth 70 mijë euro), gjermani Hans Peter Brigel (400 mijë euro), kroati Oto Bariç (300 mijë euro), holandezi Ari Han (300 mijë euro) dhe kroatin Josip Kuzhe (360 mijë euro). Trajneri më i paguar shqiptar ka qenë Sulejman Demollari (1 milionë lekë të vjetra), njëherësh edhe i fundit që drejtoi përfaqësuesen. Ndeshja e parë miqësore e De Biazit në stolin e Shqipërisë do të jetë ajo kundër Gjeorgjisë (më 29 shkurt 2012, në Tbilisi), ndërsa ajo zyrtare do të jetë kundër Qipros (7 shtator 2012, në Tiranë). Kombëtarja është drejtuar nga dhjetë trajnerë shqiptarë: Adem Karapici, Sllave Llambi, Ludovik Jakova, Loro Boriçi, Zyber Konçi, Myslim Alla, Ilia Shuke, Shyqyri Rreli, Agron Sulaj, Bejkush Birçe, Neptun Bajko, Astrit Hafizi, Mehdin Zhega dhe deri te i fundit, Sulejman Demollari, i shkarkuar në prill të vitit 2002. Boriçi e ka drejtuar Kombëtaren në tri periudha të ndryshme. Shqipëria ka pasur gjatë historisë së saj ka pasur nëntë trajnerë të huaj. I pari, serbi Ljubisha Broçiç e bëri Shqipërinë kampione të Ballkanit, 65 vjet më parë, në tetor të vitit 1946. Më pas drejtuan hungarezi Miklosh Vadash (1953), rusi Nikolai Ljkushnikov (1959), italiani Xhuzepe Dosena (2002), gjermani Hans Peter Brigel (2002-2006), kroati Oto Bariç (2006-2007), holandezi Ari Han (2008-2009), kroati Josip Kuzhe (2009-2011) dhe tani nga 14 dhjetori, De Biazi (ka kontratë deri në dhjetor 2013).

SKEDA
Emri: Xhovani De Biazi
Vendlindja: Sarmede (Trevizo)
Shteti: Itali
Datëlindja: 16 qershor 1956
Profesioni: trajner
Ekipet: Vastese, Karpi, Modena, Breshia, Torino, Levante, Udineze

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›