“Me këtë ritëm reformash, Shqipëria do realizojë shpejt ëndrrën e integrimit në BE”
Intervistë me Hiroyasu Ando, ambasadori i Japonisë në Tiranë“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe që ofron mundësi të arta për investimet e kompanive japoneze”. Kështu shprehet gjatë një interviste televizive ambasadori japonez në Tiranë Hiroyasu Ando, i cili thekson edhe marrëdhëniet politike pozitive Shqipëri-Japoni, nisur nga takimi i një viti më parë i kryeministrit shqiptar Sali Berisha me atë japonez, e cila shërbeu si një indicie për të shtrirë linjat e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ambasadori japonez thekson se shumë shpejt në Shqipëri do ketë një shtrirje të jashtëzakonshme të investimeve japoneze, të cilat do të jenë kryesisht të fokusuara në fushën e turizmit. Qeveria japoneze e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm strategjik dhe shpreh vlerësimet e saj për progresin e veçantë politik dhe ekonomik, në kuadër të integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian. Zoti ambasador si do t’i përkufizoni ju marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Japonisë?Pas demokratizimit të Shqipërisë në vitet ‘90, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Japonisë u bënë shumë aktive dhe, që atëherë, qeveria e Japonisë ka dhënë një ndihmë të madhe ekonomike për zhvillimin e Shqipërisë. Për shembull në vitin 2008, kryeministri Berisha vizitoi Japoninë dhe unë isha në Tokio si këshilltar diplomatik. Mund të them se takimi mes dy kryeministrave ishte shumë i mirë. Ajo vizitë u bë një pikë referimi për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe ne do të donim të vazhdonim ndihmën tonë për zhvillimin e Shqipërisë.Ju thate se në këto 20 vjet e keni ndihmuar shumë Shqipërinë nga ana financiare. Përse keni zgjedhur ta bëni këtë?Para se gjithash ky është një vend shumë i rëndësishëm nga ana strategjike dhe ekonomike dhe mendoj se është një detyrim për ne për t’i dhënë sa më shumë ndihmë të jetë e mundur dhe për të mbajtur marrëdhënie sa më të mira mes dy vendeve, sepse është në interesin e të dyja palëve.Por çfarë mund të thuhet për investimet japoneze në Shqipëri. Këtu nuk është e vendosur ndonjë kompani e madhe japoneze. Përse, sipas jush investimet japoneze nuk paraqiten në të njëjtin nivel me marrëdhëniet politike?Për momentin nuk ka shumë kompani të mëdha biznesi japoneze në Shqipëri, por ne duam fort të promovojmë investimet e kompanive japoneze në të ardhmen. Mendoj se ky vend ka një potencial të madh për zhvillimin ekonomik. Vitin e ardhshëm ne do të sjellim një mision për të eksploruar mundësitë për investimet japoneze në Shqipëri.Ndonjë fushë konkrete?Ne mund të mendojmë për shumë fusha, por turizmi është një mundësi shumë e mirë. Ju keni një vend shumë të bukur turistik, veçanërisht përgjatë bregdetit dhe ka shumë turistë japonezë, që vijnë në Europë. Ata do të kënaqeshin, nëse do të vizitonin Shqipërinë. Për shembull në Itali ka mbi një milionë turistë japoneze. Unë do të doja të inkurajoja turistët japonezë për të ardhur në Shqipëri, por gjithashtu edhe kompanitë japoneze, në mënyrë që të jenë në gjendje të bashkëpunojnë me Shqipërinë për të zhvilluar industrinë e turizmit. Misioni që do të vijë vitin e ardhshëm do të jetë i përbërë nga kompani turistike. Shpresoj që nga ky mision të dalë diçka konkrete, e prekshme. Unë gjithashtu do të doja të theksoja shkëmbimet kulturore, përveç atyre ekonomike, sepse të dyja vendet, si Japonia dhe Shqipëria, kanë kultura interesante, tradicionale. Shpresoj që në të ardhmen të krijohet mundësia për të shfaqur këtu kulturën japoneze, në mënyrë që shqiptarët të mund të kuptojnë më mirë, Japoninë. Në Japoni ka shumë njerëz nga Shqipëria, të interesuar për studime dhe ne duam të promovojmë studimet japoneze dhe ndoshta më shumë shqiptarë mund të shkojnë në Japoni për të vlerësuar kulturën japoneze.Si i shikon Japonia, një nga vendet më të zhvilluara të botës, procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian?Mendoj se do të ishte shumë mirë që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Shqipëria po lëviz në mënyrë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe shpresoj shumë se, duke realizuar reformat strukturore, reformat institucionale, Shqipëria, ju, në një të ardhme të afërt do të jeni pjesë e Bashkimit Europian....