E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më lini rehat!

Arsene Wenger ka kërkuar nga Real Madridi ta “lë rehat”, pas spekulimeve se menaxheri i Arsenalit mund ta zëvendësojë Manuel Pellegrinin.

Eliminimi – tani i zakonshëm – i gjigantit madrilen nga rrethi i dytë i Ligës së Kampionëve është përcjellë me thirrje për ndërrimin e trajnerit dhe Wenger së bashku me menaxherin e Liverpoolit, Rafa Benitez, janë përmendur si kandidatë për postin në Bernabeu. Por, Wenger është distancuar nga spekulimet.

“Do të respektoj kontratën time, e cila vlen deri në vitin 2011”, tha ai. I pyetur nëse ka ndonjë mesazh për Real Madridin, Wenger në shaka shtoi: “Po, më lini rehat”.

Presioni për të fituar tituj ishte i menjëhershëm në Real Madrid pas shpenzimit të rreth 250 milionë eurove në përforcime të reja gjatë verës së vitit të kaluar, andaj humbja nga Lyon me rezultat të përgjithshëm 2-1 ishte konsideruar e papranueshme. Këtë lloj presioni, Wenger nuk dëshiron ta ndiejë.

“250 milionë euro nuk e blejnë Ligën e Kampionëve. Nëse mund t’i shpenzoni çdo vit, do të arrini atje, por është viti i parë pas kthimit të Perezit dhe nevojitet kohë. Ai duhet të investojë edhe vitin tjetër, andaj mendoj se Real Madridi do të jetë përsëri superfuqi. Për momentin ata gjenden në një moment të vështirë”, u shpreh Wenger.

Trajneri francez theksoi se ekipi i tij ka vazhdimësi në rezultate në garën më të rëndësishme të futbollit evropian të klubeve.

“Në pesë vitet e kaluara ne kemi qenë në finale, gjysmëfinale dhe dy herë në çerekfinale. Vazhdimësia është gjëja më e rëndësishme për të arritur në shkallën më të lartë, sepse ju keni shumë ekipe që synojnë të jenë në kulm. Kur paraqitemi rregullisht, ne nuk e marrim këtë si arritje të madhe sepse jemi mësuar të jemi aty. Por, nuk është lehtë”, përfundoi ai.

Kjo nuk është hera e parë që Wenger spekulohet të jetë objektiv i gjigantit madrilen. Strategu francez është konsideruar kandidat për të marrë drejtimin e Real Madridit edhe në vitet e kaluara. Mirëpo, ai vazhdon t’i qëndrojë besnik Arsenalit. Arsenalit të tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›