E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë bashkë djathtas për zgjidhjen e çështjes çame

24-05-2013 / Nga Ilirian Dahri

Flamujt e shumtë shqiptarë të vendosur në vigjilje të Festës së 100 – vjetorit të Pavarësisë jepnin një simbol madhështor bashkimi. Ata flamuj që valëviteshin në kryeqytetin e shqiptarëve, aty në trotuaret buzë lumit të kryeqendrës shqiptare ku hera – herës spikaste ndonjë flamur në të cilin shkruhej “Unë e dua Çamërinë”, dukeshin sikur për një hop kërkonin të dëshmonin me forcë historinë shumëvjeçare të të gjithë kombit shqiptar. Dihej nga të gjithë se ishin flamuj të vendosur nga çamët të cilët kërkonin që të jepnin një kontribut jo të vogël edhe për dekorin e Tiranës  në prag të 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Çamët nuk kërkuan të përfitonin nga situata festive për të propaganduar për partinë e tyre dhe kjo dallohej qartazi në atë mori flamujsh kuq e zi të vendosur prej tyre,  por kërkohej të kumtohej se Çamëria ishte e pranishme, për të festuar ashtu bashkë me shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare 100 – vjetorin e Pavarësisë. E pra çamët të bashkuar ashtu me njëri – tjetrin, të bashkuar me shqiptarët e Kosovës, ata të Maqedonisë dhe Malit të Zi, të bashkuar me shqiptarët e të gjitha trojeve  kërkonin të jepnin dhe të përçonin një ndjenjë bashkimi të të gjithë kombit shqiptar. Sepse vetë çamët më shumë se kushdo tjetër kanë vuajtur bashkë dhe i kanë ndarë me njëri – tjetrin shqetësimet dhe vuajtjet  e tyre.  Në kohëra të ndryshme ka patur shumë komisione po aq të ndryshme të cilat raportonin se çamët i vranë ashtu bashkë, se çamët ashtu të bashkuar luftuan për të mbrojtur tokën e tyre epiriote, se çamët ashtu bashkë u detyruan të linin trojet e tyre, se çamët ashtu  të gjithë u shpërngulën me forcë nga trojet e tyre, se çamët ashtu bashkë u vendosën në Shqipëri. Ndërkaq edhe në raportet dhe dokumentet e komisioneve të ndryshme apo misioneve të vendeve perëndimore shkruhet se qeveria shqiptare i ndihmoi të gjithë çamët ashtu bashkë se Shqipëria u dha disa prefekturave një sasi të konsiderueshme të hollash për të blerë drithë për të gjitha familjet çame se edhe ndihma e UNRRA- s në vitet 1945 -1947 ishte për të gjitha familjet çame. Dhe çamët u vranë bashkë teksa luftonin për mbrojtjen e trojeve të tyre, çamët u larguan bashkë prej trojeve të tyre. Shkruhet se pas vendosjes së tyre në Shqipëri vdiqën edhe 2000 të tjerë, sipas shumë të tjerëve në të vërtetë ishin 2775 që u sëmurën ashtu bashkë, që vuajtën prej urie duke parë fytyrat e pashpresa të njëri - tjetrit, ashtu të bashkuar nga një fat i kobshëm deri në grahmën e fundit. Në këtë mënyrë në vitet e tyre më të dhimbshme luftuan bashkë, bashkë udhëtuan, bashkë u sëmurën dhe bashkë vdiqën. Nuk ishin mjaftuar me këto vdekje të panevojshme të çamëve? Nuk ishin ngopur ende me gjakun çam? Këmbënguli në vitin 1947 gjenerali Markos, këmbëngulën krerët e lartë të qeverisë komuniste shqiptare të asaj kohe  për t’i rikthyer sërish të paktën një pjesë të tyre, për t’i rikthyer sërish drejt plojës. Qeveria komuniste e Enver Hoxhës u rrek të derdhte edhe gjakun çam në themelet plot gjak të diktaturës gjakatare komuniste. Kërkoheshin 4 mijë çamë por ishin të kënaqur edhe me 3 mijë të tillë që të “ndihmonin” në luftën civile të Greqisë. Që të vdisnin sërish nga zjarri i armëve tashmë me bekimin e autoriteteve komuniste shqiptaro – greke.  Kërkesa ju parashtrua të gjithëve. Të gjithë ashtu bashkë nuk pranuan. Hakmarrja e komunistëve nuk vonoi shumë. Gjashtë vjet më vonë të gjithë çamëve i hoqën shtetësinë, ashtu pa i pyetur dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Të fshikulluar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës u mblodhën përsëri bashkë me fatin e tyre të përbashkët. Vite e vite më vonë u mblodhën sërish Në këtë shekull të ri luftuan përkrah shqiptarëve të Kosovës. Luftuan dhe morën dhe plagë. Por ndihmuan në pavarësinë  e shtetit më të ri të Europës. Të vrarë dhe të burgosur nga diktatura më e egër dhe më gjakatare komuniste e Europës, në vitin 1990, pasi kishin marrë pjesë në demonstratat kundra regjimit komunist (në ato të Kavajës apo të Shkodrës, në rrëzimin e bustit të diktatorit komunist), pasi dhanë dhe vazhdojnë të japin kontributet e tyre në demokratizimin e vendit, pasi panë me sytë e tyre se Rezoluta ishte votuar vetëm nga forcat e djathta në Parlamentin shqiptar sot më shumë se kurrë (dhe si ngahera) çamët janë të bindur se nga cili krah do të vijë zgjidhja e çështjes çame. Çdo vit, ashtu të bashkuar pleq, gra dhe fëmijë ecin më këmbë drejt Qafë Botës. Drejt qafës së botës sepse kryet e botës janë pak më përtej në Çamëri. Të moshuarit shikojnë plot mall, të ulur ashtu për t’u mbrojtur nga dielli nën hijet e ndonjë ulliri. I tregojnë nipërve të tyre, ashtu ngadalë duke ngritur duart e rreshkura. Mungojnë vetëm pak metra pastaj andej është Çamëri. Dikush i pëshpërit fjalë të papëlqyeshme. Fjalë që kërkojnë të përçajnë. Nuk ja kanë ngenë sepse janë të gëzuar ndërkaq. Krenarë ndihen ndërkaq.  Kanë djemtë e tyre që i përfaqësojnë për herë të parë në Parlamentin shqiptar. Djemtë e tyre që për herë të parë bëjnë  pjesë në  koalicionin qeverisës të udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha. Ka ardhur koha për zgjidhjen e çështjes së madhe së çamëve dhe të vjetrit nuk mund të gabojnë. Përtej qafës së botës atje tej në kryet e saj Preveza pret.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›