SHBA, arrestohet Efraim Diveroli
Autoritetet amerikane kanë arrestuar trafikantin e armëve, Efraim Diveroli, që blinte armë kineze nga Shqipëria, të ndaluara nga qeveria amerikane dhe i shiste për forcat aleate në Afganistan. Presidenti 22-vjeçar i kompanisë AEY dhe tre persona të punësuar prej tij u arrestuan mëngjesin e së premtes në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata akuzohen për mashtrim dhe konspiracion ndaj ushtrisë amerikane, pasi kanë gënjyer për origjinën e armëve, me qëllim përfitimi të paligjshëm. Në të gjitha raportet që i ka dërguar Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, në lidhje me zbatimin e kontratës 300-milionëdollarëshe që mori nga Pentagoni, Diveroli ka pohuar se armët ishin prodhuar në Shqipëri dhe prodhuesi ishte kompania shqiptare MEIKO, ndërkohë që këto armë ishin kineze. Në pranga bashkë me Diverolin kanë rënë edhe zv.presidenti i AEY-së, David Pakouz si dhe Aleksandër Podrizki, i cili përfaqësonte kompaninë AEY në Shqipëri, dhe Ralf Merrill, një partner biznesi i Diverolit në Jutah që i jepte kompanisë asistencë financiare dhe manaxheriale. Në akuzën e prokurorisë amerikane, Podrizki shfaqet si personi që ka përfaqësuar Diverolin në Shqipëri dhe që mbante kontaktet me MEIKO-n. Më 23 maj 2007 Diveroli ka ardhur vetë në Shqipëri dhe më 26 maj ka arritur të negociojë për çmimin e fishekëve me kompaninë MEIKO. Prokuroria amerikane disponon gjithë mesazhet elektronike mes AEY-së e MEIKO-s si dhe foto të momentit të heqjes së etiketave kineze nga kutitë e municioneve në Shqipëri. Sipas termave të kontratës, AEY-së i kërkohej të certifikonte (të provonte) se mund të furnizonte me municion të sigurt dhe brenda kushteve për shërbim. Kontrata ndalonte dërgimin e municioneve nëse këto merreshin direkt ose indirekt nga kompani ushtarake të Kinës Komuniste.