E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta, importi rritet bashkë me çmimin

Çmimi i naftës tashmë nuk po përbën çudi për konsumatorin shqiptar, kur çdo ditë përballen me një kosto të re. Ditët e fundit një litër naftë ka shkuar deri në 170 lekë/litri, por kjo s’ka ndikuar aspak në uljen e kërkesës në treg, pasi importet tregojnë rritje për muajt e parë të vitit 2008. Shqiptarët janë ndër të vetmit konsumatorë që nuk janë ndikuar nga rritja e çmimit, ata vazhdojnë të përdorin mjetet e tyre me të njëjtat ritme si më parë, kur çmimi i naftës ishte në nivele më të ulëta. Por, parashikimet e analisteve tregojnë se do të ketë rritje tjetër gjatë muajve në vazhdim. Madje, parashikohet që çmimi në fund të kësaj vere të shkojë në 200 lekë/litri.

Rritja e importit të naftës tregon se shqiptarët vazhdojnë të konsumojnë karburantet pavarësisht kostos, por rritja e karburanteve është reflektuar në çmimet e biletave të transporti. Gjithkush që ofron shërbim transporti me mjete të ndryshme, ka rritur biletat e udhëtarëve. Ata që më së shumti i kryejnë punët e tyre duke përdorur taksi, tani e tutje duhet të mendohen më mirë, pasi çmimet për të njëjtat distanca tashmë janë rritur ndjeshëm. Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë mbi zhvillimet në sektorin e jashtëm, vihet re se karburantet kanë rritur ndjeshëm sasinë e importeve. Raporti i BSH-së thotë se importet e karburantit gjatë këtij tremujori kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej rreth 46.7 për qind. Prej saj, vetëm 1.5 për qind i dedikohet rritjes si pasojë e kërkesës për karburante, ndërsa 44.5 për qind vjen si rezultat i rritjes së çmimit të tyre. Karburantet e importuara gjatë tremujorit të parë të vitit

2008 u vlerësuan 6.7 për qind e totalit të importeve. Por, Banka e Shqipërisë evidenton faktin që në kushtet kur gjithë tregu botëror i naftës ka pësuar rritje gati 100%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, rritjet e çmimit të naftës në tregun vendas lidhen me zvogëlimin e kohë-vonesës së rritjes së çmimit në krahasim me tregun botëror, ku struktura e çmimeve të naftës në këtë treg tashmë është homogjenizuar. Kështu, ndërsa më parë ekzistonte një dallim i theksuar ndërmjet çmimit të naftës, që vinte kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme (të vendeve të OPEK-ut dhe të ish-Bashkimit Sovjetik, me të cilat tregtarët grosistë kryejnë të gjitha transaksionet për naftën që përdoret në tregun e brendshëm), tashmë të dyja çmimet janë pothuajse të njëjta.

Si pasojë, është dobësuar dhe efekti pozitiv i tejçimit të rritjes së çmimeve nga tregu i huaj në atë vendas, si rezultat i pozitës gjithnjë e më të fortë të lekut ndaj dollarit amerikan. Nga ana tjetër, kjo e ka kthyer çmimin e këtij malli në një burim të drejtpërdrejtë presionesh inflacioniste, në dallim nga periudha deri në tetor të vitit 2007, kur për shkak të peshës së vogël që zinte ky mall në shportën e indeksit të çmimit të konsumit, ndikimi i tij reduktohej në efekte jo të drejtpërdrejta të karakterit sezonal.

Por tani, pavarësisht nga pesha e vogël në këtë shportë, çmimet e karburanteve ndikuan mesatarisht me 0.5% në rritjen vjetore të kostos së jetesës në muajt mars e prill të vitit 2008, në krahasim me 0% pikë, në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e çmimit të naftës ka shtuar koston e produkteve të tjera, duke krijuar gjithashtu hapësira për efekte të raundit të dytë. Rasti më i fundit i rritjes së çmimit të naftës karakterizohet nga një intensitet i lartë rritjeje dhe është i ndërvarur nga goditje të tjera të forta nga kahu i ofertës, sikurse janë çmimet e mallrave ushqimorë. Kërkesa për karburante në tregun shqiptar ka ardhur në rritje nga viti në vit, pasi sot numërohen rreth 300 mijë automjete, ndërsa përdorimet e tyre janë rritur në sektorin rezidencial për ngrohje, në serat bujqësore, në sektorin e shërbimeve etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›