Më në fund Kapllani, gol pas 642 ditësh
Ka ardhur edhe goli i Edmond Kapllanit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka shënuar golin e vetëm të Koblencit në barazimin e djeshëm ndaj Energji Kotbus në fushën e kësaj të fundit. Kapllani shfrytëzoi një pakujdesi të mbrojtjes vendase duke shënuar në minutën e 11-të të pjesës së parë. Goli i sulmuesit vinte pas një shterpësie tejet të gjatë. Hera e fundit që Kapllani kishte shënuar në kampionat, kjo në Bundesligën e Parë ishte 642 ditë më parë. Më 3 maj të 2008-ës Kapllani do të shënonte golin e vetëm për skuadrën e tij, asokohe Karlsruher në humbjen 3-1 ndaj Hertës së Berlinit. Prej atij momenti nisi “urrejtja” e Kapllanit ndaj golit. Ndërsa po ti referohemi kompeticioneve të tjera shterpësia e sulmuesit sa vjen edhe bëhet më e lehtë. Kështu në Kupën e Gjermanisë ai ka shënuar golin e fundit 544 ditë më parë më 10 gusht 2008 në ndeshjen Ansbach-Karlsruher 0-5. Ndërsa për herë të fundit me Kombëtaren Kampllani ka shënuar një gol 534 ditë më parë në miqësoren e 20 gushtit 2008 ndaj Lihtenshtejnit 2-0 në “Qemal Stafa”. Porsa i përket takimit të djeshëm për Koblenc luajti si titullar edhe Ervin Skela. Fanatzisti kthehej në stadiumin ku luajti për 2 sezone e gjysëm si futbollist i Energji Kotbus. Vlonjati u zëvendësua nga kosovari Anel Xhaka në minutën e 86-të.