Partizan i ri, me huqe të vjetra
Leonard KarajPartizani barazon me Bylisin, Elbasani dhe Lushnja vazhdojnë galopatën drejt Kategorisë Superiore. Fitojnë edhe Kamza, Burreli dhe Memaliaj. Në Tiranë, Partizani e ka filluar mirë ndeshjen duke treguar një lloj superioriteti ndaj ballshiotëve, por kjo vetëm në pjesën e parë. Të kuqtë gjetën golin me anë të mesfushorit Artan Karapici në minutën e 22-të. Miqtë luajtën më së shumti në mbrojtje duke përdoruar kundërsulmin si armën anti-Partizan. Kapiteni Dimo ka qenë rreziku më i madh i portës së Partizanit, i cili në njërin prej këtyre kundërsulmeve në pjesën e dytë, depërtoi në zonë dhe u pengua nga portieri Mustafa duke fituar kështu një penallti në favor të Bylis. Nga pika e bardhë është Hamzai, ish-lojtar i Partizanit, që gjuan dhe barazon rezultatin. Partizani hidhet në sulm por pa qartësinë e duhur dhe ndeshja mbyllet në barazim 1-1. Bylis vazhdon të kryesojë me 41 pikë, kurse Partizani është në vend të 8-të me 23 pikë dhe me një ndeshje më pak (ndaj Bilishtit).Ndjekësit Nga barazimi i Bylisit ka përfituar Elbasani, i cili ka mundur pastër 3-0 nga Sopotin e Librazhdit. Verdheblutë kanë shkuar në kuotën e 35 pikëve, 6 më pak se ballshiotët. Elbasani dominoi gjithë ndeshjen duke shënuar 2 gola në pjesë të parë dhe një të tertë me anë të Dalipit në pjesën e dytë. Po 35 pikë ka edhe Lushnja që dje mori një fitore minimale kundër Turbinës së Cërrikut. Lushnjarët shënuan në pjesën e parë me anë të Alcanit dhe më pas kontrolluan lojën duke administruar mirë rezultatin. Nga ana tjetër Ada e Velipojës është frenuar në Burrel. Vendasit fituan me rezultatin 2-1 duke shpresuar tani përsëri për një nga katër vendet e para pasi renditen në vend të 7 me 24 pikë. Mbijetesa Vetëm një pikë më pak se Ada është Kamza, e cila dje arriti një fitore 3-1 kundër Besëlidhjes. Mbrojtësi Tafaj shënoi golin e parë, Osmani barazoi për lezhjanët dhe më pas Patushi dhe kosovari Tetova sigluan rezultatin final në këtë takim. Ndërsa Gramshi, në luftën sportive për mbijetesë ka fituar ndaj Bilishtit me një rezultat të pastër, 2-0. Aktualisht gramshiotët renditet në vend të 10-të me 20 pikë, po aq sa Bilishti, i cili mban vendin e 11-të. Memaliaj gjithashtu shpreson më shumë për mbijetesë tani pasi ka mundur Skraparin e vendit të fundit me rezultatin minimal 1-0 falë golit të çekas, në pjesën e dytë.