Me një gotë tekila të kriposur në buzë
Duke u rritur në një shtëpi dhe në një lagje me etni të ndryshme, poeti amerikan, Sean Thomas Dougherty, që mban sot leksione poezie në Akademinë e Arteve në Tiranë, e sheh çështjen e identitetit kulturor si një pjesë të ekzistencës së tij. Në mbledhjet familjare në Kuins, të gjithë ishin “kushërinjtë” e tij: të zinj, bojëkafë, të bardhë apo aziatikë qofshin
Kthjelltësi si e oqeanit, ose si një gotë tekila e kriposur në buzë, ose edhe më mirë, një vodka në një bar në një qoshe të Erie, Pennsylvani, ku djali boshnjak me bluzë të kuqe po flet me shokun e tij portorikan për vajzën gjysmë afro-ruse, të cilën e pëlqen. Histori e vërtetë. Duke u rritur në një shtëpi dhe në një lagje me etni të ndryshme, poeti amerikan, Sean Thomas Dougherty, që mban sot leksione poezie në Akademinë e Arteve në Tiranë, e sheh çështjen e identitetit kulturor si një pjesë të ekzistencës së tij. “Në mbledhjet familjare në Kuins, të gjithë ishin “kushërinjtë” tanë: të zinj, bojëkafë, të bardhë apo aziatikë qofshin”.
Po ç’lidhje ka kjo me poezinë e tij? Në librin e tij të fundit “Broken Hallelujahs”, Dougherty tregon se donte të zbulonte rrënjët e tij evropiano-lindore dhe në të njëjtën kohë të lëvizte lehtësisht në poetikën afro-amerikane. Edhe pse hebrenjtë hungarezë dhe rap-erët e bregdetit lindor nuk mund ta gjejnë veten në të njëjtët libra, poeti amerikan mendon se ata do ta bëjnë këtë gjë, gjithmonë e më shumë. Shembulli më i mirë është një ditë në Brooklyn, në pjesën lindore të Erie, ose në pjesën veriore të Syracuse, ose Lowell, Massachusetts. “Të gjithë ne, njerëz të ndryshëm, duke u përpjekur në krah të njëri-tjetrit për të bërë një gjuhë të re. Mendoj se kjo është një nga gjërat në listën e gjatë të poezisë “Shift””.
Një gjuhë e transformuar në ritëm, që kërkon dhe një impenjim e përjetim fizik të njëkohshëm. Kur filloi të shkruajë poezi, tërhiqej shumë pas melodisë dhe nëse i krijohej ritmi, shpërthente në vargje. Këtë quan çelës të suksesit poeti amerikan, Sean Thomas Dougherty, që e tregon si triumf jo vetëm të shumë çmimeve ndërkombëtare që ka marrë, por në gjëra më të thjeshta të ndjeshmërisë. Për sa i përket ritmit, poetë si Ann Wldman, Patricia Smith, Quincy Troupe dhe Joy Harjo kanë qenë më të rëndësishmit për Dougherty.
Ndjesitë e Dougherty kur shkruan lidhen shpesh me dëgjimin e një frymëmarrjeje dhe një rrahje në kokën e tij që i del mbi fletë. Ndonjëherë kjo është një metrikë e ndërgjegjshme. Ndonjëherë ky është i ndarë në rrokje, 10 rrokje në një rresht. Ndonjëherë është gërvishtës dhe i zhurmshëm.
“Ndonjëherë ritmi është shpejtësia e zërit të gjyshes sime të vdekur, që vërtitet në ajrin rreth e rrotull duke më folur në Jidish, që unë e dëgjoj si ritëm të drejtë. Ndonjëherë shoh filma të huaj pa zë, për ritmin e tyre. Dje po shkruaja duke pasur në sfond filmin e ri të Roberto Benigni-t “Tigri dhe dëbora”, tingulli i belbëzimit të tij italian që hynte në rreshtat e mi. Ndonjëherë është ritmi i krahëve të ndonjë zogu që përplaset mbi parkun e qytetit. Ndonjëherë janë hapat e një gruaje të vjetër, e cila teksa hipën në autobus, jep urata nën zë. Komshinjtë e mi duke bërtitur, duke kënduar, duke mërmëritur me veten”. Ky është laboratori i poetit që ka zgjedhur enkas të ligjërojë për herë të parë, leksione ndjesish pikërisht në Akademinë e Arteve në Shqipëri, para studentëve të degës së regjisë. Ai vjen në Tiranë për të ndarë përvojën e tij poetike pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke siguruar një axhendë të posaçme për lexuesit shqiptarë, qoftë para auditorit të aktrimit, ashtu dhe atyre që mund të kenë vendosur për të shkruar poezi, letërsi. Përpos vargjeve, poeti amerikan mban një lidhje të ngushtë edhe me instrumentin e fizarmonikës. Meqenëse një pjesë e origjinës së tij vjen edhe nga Irlanda, fizarmonika është në qendër të shumë melodive vendase.
“Broken Hallelujahs” është vëllimi i fundit poetik, ku shkrimtari e ka thënë në një intervistë, se fizarmonika është aty, për të shprehur gëzimin.
Jo e gëzueshmja, por gëzimi - e dallon poeti Dougherty. Sepse, që të ekzistojë gëzimi, ka nevojë të njohë hidhërimin. Si fjala fizarmonikë - një instrument që e ka shpjeguar poeti, si hapje e zërit njerëzor, që e mbajmë para mushkërive dhe zemrës.
Kur ishte rreth të njëzetave, ai ishte një fans i çmendur i “Pogues”, një grupi i famshëm irlandeze punk dhe fizarmonicisti i tyre, Spider Stacey, ishte drejtuesi i grupit, i dërguar përkundër mureve të klubeve nëpër të gjithë planetin.
Poetit amerikan flet për ngazëllimin në rritje që i japin atij këngët Sufi, që vijnë nga Pakistani, ku fizarmonika ka qenë një instrument mjaft i rëndësishëm. Edhe kjo është poezia. Veç kësaj, ai ka treguar se është rritur në një shtëpi dhe në një lagje me etni të ndryshme, kështu që çështjet e identitetit kulturor ishin pjesë e ekzistencës së tij. Historia e familjes së përzier për shkrimtarin nuk përbënte diçka të pazakontë. Kjo ishte një dukuri që karakterizonte të gjithë brezin e asaj kohe. Kështu njihet edhe Natasha Trethwey, e cila fitoi çmimin “Pulitzer”. Së shpejti ky poet do të jetë më i njohur për lexuesin shqiptar, në nr. 14 të revistës “Poeteka”, si dhe së afërmi, me botime më të plota. Shërbimi që i bëhet këtij poeti në shqip vjen nën kujdesin e poetit të njohur shqiptar, Arjan Leka, që është dhe botuesi i të vetmes revistë prestigjioze të poezisë në vend. Poezia e Sean Thomas Dougherty veçohet në cilësime për shkrirjen e rigorozitetit të akademisë me ritmet e rrugës. Ai është autori i nëntë librave përfshirë “Nightshift belonging to Lorca”, finalist për çmimin “Paterson Poetry” dhe “Except by Falling”. Sean Thomas Dougherty është gjithashtu fitues i çmimit “Pinyon Press Poetry 2000”. Libri i tij i fundit, “Broken Hallelujahs” (BH), është një eksplorim i rrënjëve dhe ndikimeve të tij, duke ndërthurur format e bazuara në polka me odet e poetëve dhe muzikantëve afrikano-amerikanë e duke gjetur elementë të përbashkët në ritmet që i bashkojnë ato. Sean Thomas Dougherty njihet për energjinë që investon në performancat e tij. Vetë poezia e tij e pasqyron këtë. Ai banon në Erie, Pennsylvania, SHBA.