MSH: Prag licencimi për 4 spitale private
Ministria e Shëndetësisë pritet të licencojë katër spitale private, tre prej të cilëve do të ndërtohen në Tiranë dhe një në Durrës. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, ka pohuar se MSH–ja do të licencojë në vendin tonë katër spitale, të cilat janë në proces ndërtimi. Sipas tij, tregu privat konsiderohet si një element komplementar në sistemin shëndetësor shqiptar, ndërkohë që me nisjen e reformës spitalore pritet që gradualisht dhe spitalet private të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore. Ndërkohë, këto spitale private priten të jenë pjesë integrale e sistemit tonë shëndetësor. Kriteret për hapjen, funksionimin dhe mbylljen e një spitali, janë të përcaktuara qartë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Licencimi
Me vendim të fundit të Këshillit të Ministrave lehtësohen procedurat e hapjes dhe mbylljes së spitaleve, si publike ashtu edhe private në vendin tonë. Vlerësimi i përmbushjes së kritereve për hapjen e spitaleve publike, sipas këtij vendimi, bëhen nga strukturat përgjegjëse, në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa vlerësimi i përmbushjes së kritereve për hapjen e spitaleve jopublike, bëhet nga Komisioni i Licencave, po në dikasterin e Shëndetësisë.
Sipas vendimit, personat juridikë, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë në fushën e shërbimit spitalor jopublik, përveç kërkesave të përcaktuara në ligjin nr. 9106, datë 17.7.2003, "Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë", duhet të përballen edhe me disa kritere të reja, që nuk kanë qenë deri më sot. Kështu kriter i ri është që duhet të kenë parashikuar në aktin e themelimit dhe/ose në statut objektin e veprimtarisë, për ofrimin e shërbimeve mjekësore, spitalore, jopublike, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me marrëveshjet, për shërbimet shëndetësore trans-kufitare. Gjithashtu, po sipas këtij vendimi, institucionet spitalore jopublike të tyre, duhet t'i kenë në harmonizim me planin spitalor shtetëror dhe vendor". “Kriter tjetër është se spitalet duhet të kenë një plan të shpërndarjes dhe ofrimit të shërbimeve të spitalit, i cili të përmbajë numrin dhe llojet e shërbimeve, që do të ofrohen", - bëhet e ditur në VKM.
Mbyllja
Ndërsa për sa i përket vendimit për mbylljen e spitaleve, i takon ministrit të Shëndetësisë, që shfuqizon licencën e spitalit dhe urdhëron mbylljen e tij, në rastet kur vërtetohen disa nga situata që nuk janë parashikuar deri më sot. Kështu, në bazë të VKM-së, miratuar dje, spitali mbyllet për mosplotësimin e kushteve të nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë spitalore, sipas kritereve të përcaktuara në licencë dhe për shkeljen e ligjeve dhe akteve nënligjore, në fuqi. "Moszbatimi brenda kushteve dhe afateve, të detyrave të lëna nga Ministria e Shëndetësisë, për korrigjimin e shkeljeve, është kriter që çon në mbylljen e spitaleve, si edhe mosushtrimi i veprimtarisë për një vit nga data e miratimit të licencës", - bëhet e ditur në VKM-në e miratuar, duke u shtuar se ankimi kundër urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, për heqjen e licencës, bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.