“Procesi i shpërndarjes së pasaportave elektronike po ecën normalisht, bojkoti i PS-së - lojë politike”

Sipas Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, brenda majit do i marrin dokumentet mbi 1.5 milionë shqiptarë
“Vetëm në bashkinë e Tiranës, ku është edhe numri më i madh i qytetarëve që nuk kanë pasaportë, nga 80 mijë qytetarë të identifikuar si të papajisur me pasaportë, 60 mijë tashmë e kanë kryer procedurën”
TIRANE - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka hedhur dje poshtë pretendimet e Partisë Socialiste se procesi zgjedhor po shkon drejt dështimit. Në kundërpërgjigje të kryetares së grupit parlamentar Leskaj, ministri i Brendshëm Bujar Nishani tha dje në Kuvendin e Shqipërisë se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me kartat e reja të identitetit po ecte normalisht brenda të gjitha parashikimeve në një kohë që i cilësoi veprimet e lidershipit socialist thjesht si “spekulime dhe lojë politike”.
“Pretendimet për një rrezik të sajuar nga ana e opozitës është tërësisht spekulim politik. Ky proces po ecën brenda parashikimeve. Të gjitha komunat e vendit dhe bashkitë e vendit kanë në dispozicion materialet”, u shpreh Ministri i Brendshëm duke dhënë shifra konkrete se në çfarë fazë është procesi i aplikimit dhe pajisjes me karta identiteti.
“Para dy ditësh kanë aplikuar më shumë se 512 mijë shqiptarë, pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të dekurajuar këtë proces. Mbi 400 mijë letërnjoftime janë prodhuar dhe janë shpërndarë në Zyrat e Gjendjes Civile, në pritje për tu tërhequr nga qytetarët. Në bazë të parashikimeve deri në fund të muajit maj është e mundur pajisja e 1.5 milionë qytetarëve me karta identiteti”, theksoi Nishani.
Lidhur me procesin e pajisjes me karta identitetit të qytetarëve pa pasaportë sipas ministrit të Brendshëm gjithçka po ecën normalisht dhe se në qytetet kryesore procesi i aplikimit mund të jetë drejt përfundimit në fund të këtij muaji.
“Vetëm në bashkinë e Tiranës, ku është dhe numri më i madh i qytetarëve që nuk kanë pasaportë, nga 80 mijë qytetarë të identifikuar si të pa pajisur me pasaportë, 60 mijë kanë aplikuar”, përfundoi Nishani.
Në vendimin e saj të fundit, qeveria shqiptare ka ulur tarifën e kartave të identitetit për shtresat në nevojë dhe për studentët të cilët nga 1200 lekë (të reja) duhet të paguajnë 200 lekë (të reja). Ndërsa disa kategori të tjera, si të verbrit, paraplegjikët, tetraplegjikët, apo komuniteti rom i përfitojnë falas këto dokumente.