E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, furgoni i pasagjerëve përplaset me maunen

Furgoni taksi i nisur nga Tiranapo shkonte për në Vlorë por ka pësuar aksident në orët e vona të natës
Një prej pasagjerëve ka mbetur për 40 minuta i bllokuar në makinë. Asnjë rrezik për jetën
FIER- Shpejtësia e madhe për pak sa nuk i ka marrë jetën disa pasagjerëve të linjës së furgonëve Tiranë- Vlorë. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së shtunës në rrugën nacionale Fier- Vlorë, vendin e quajtur Ferras. Për fat të mirë vetëm tre prej pasagjerëve kanë marrë dëmtime, edhe ato të lehta. Të plagosurit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore dhe dy prej tyre kanë dalë menjëherë prej tij.
Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se furgoni taksi me targa "VL 474 A" ishte mbushur me pasagjerë në kryeqytet dhe po drejtohej nga shtetasi Hakim Fetahu, i moshës 38 vjeç. Rreth dy kilometra larg Urës së Mifolit makina ka shtuar shpejtësinë për të arritur sa më parë në qytetin e Vlorës. Sipas ekspertëve të policisë rrugore, rruga e drejtë si dhe mos pasje qarkullim makinash në atë orë ka bërë që shoferi të ecë me shpejtësi edhe pse brenda mjetit që ai drejtonte kishte pasagjere të moshave të ndryshme. Vetë të aksidentuarit kanë pohuar në polici se përpara furgonit të tyre ndodhej një maune e madhe, e cila kishte hapur krahun në anë të rrugës pasi dukej se kishte pësuar një defekt. Shoferi i furgonit la tentuar të parakalojë mjetin e tonazhit të rëndë por nuk ia ka arritur qëllimit. Ai ka hyrë sërish në korsinë e tij por këtë herë duke u përplasur me maunen e parkuar. Vetë të plagosurit pohuan se ata e kanë goditur maunen nga pas teksa ajo ka qenë e palëvizshme. Shoferi i maunes, i cili ndodhej në kabinën e mjetit të tij, ka dalë menjëherë jashtë që të shikojë se çfarë ka ndodhur. Ai ka parë pasagjerët e furgonit që po dilnin jashtë tepër të tronditur e të frikësuar.
Dëshmitarët okularë pohuan se nga kjo goditje është plagosur më rëndë njëri prej pasagjerëve, i cili ishte në krahun e shoferit. Ai quhet Artur Shkurtaj, banues në qytetin e Vlorës me profesion mjek reanimator në spitalin rajonal. Nga ky aksident është plagosur edhe drejtuesi i mjetit, Halit Fetahu, si dhe kanë marrë plagë te lehta edhe disa pasagjerë. Sipas policisë rrugore të Fierit, i plagosuri ka pësuar fraktura të rënda në brinjë si dhe i janë dëmtuar rëndë të dyja këmbët. Si pasojë e përplasjes, mjeti është shtrembëruar duke bërë që i plagosuri të mbesë brenda tij. Janë dashur rreth 40 minuta që llamarinat e mjetit të hapeshin dhe i aksidentuari të mund të dilte prej tij për tu dërguar më pas në spital.Të gjithë të plagosurit janë dërguar në spitalin e Fierit dhe burime nga ky institucion pohuan se asnjë prej tyre nuk ka pësuar dëmtime serioze për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›