Emigrantët, 10 orë në radhë për të hyrë në Shqipëri
Kapshticë/ Pala greke vazhdon që të punojë me ritme të ulëta. Dita e diel, numër rekord kthimesh me rastin e Krishtlindjeve
KAPSHTICË- Rëndohet edhe më shumë situata e emigrantëve në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Shkak i saj janë bërë kthimet e emigrantëve shqiptarë për festat e fundvitit dhe pritjet e pafundme në tokën greke, deri në përfundim të të gjitha procedurave ndërkufitare në të dy anët e kufirit. Rreth 10 mijë emigrantë kanë hyrë gjatë të dielës në Shqipëri nga pika kufitare e Kapshticës, duke arritur pikun e tyre këtë ditë. Emigrantëve shqiptarë iu është dashur të presin për më shumë se 10 orë në pikën greke të Kapshticës dhe për të përfunduar më pas procedurat hyrëse për në Shqipëri.
E diela duket se ka qenë dhe dita më e ngarkuar për sa i përket fluksit të kalimit ndërkufitar të emigrantëve shqiptarë nga Greqia në drejtim të atdheut të tyre me rastin e festave të fundvitit. Afrimi i Krishtlindjes një pjesë të tyre i ka nxitur të udhëtojnë këtë fundjavë, ndërkohë qe e diela mban shifra rekord. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë të Kapshticës mësohet se në 12 orët e fundit nëpërmjet kësaj pike kalimi kanë hyrë nga Greqia për në Shqipëri një numër tepër i madh emigrantësh, duke shtuar dhe radhët kryesisht në anën greke të kufirit. Kështu nga shifrat zyrtare mësohet se nga ora 01.00 e të dielës deri në orën 17.00 të po kësaj dite kanë hyrë në Shqipëri 9336 persona me plot 1956 automjete. Policia shqiptare nga ana e saj, ka shtuar sportelet nga orët e para të mëngjesit të të dielës, duke e shpënë numrin e tyre në shtatë të tillë në funksion vetëm për hyrjet në Shqipëri nëpërmjet shtetit fqinj Greqi. Ndërkaq dhe pala greke nga ana e saj ka shpënë në katër numrin e sporteleve të saj për daljet nga Greqia, ku një sportel është shtuar gjatë mesditës të së dielës. Duke u nisur nga situata shumë e rënduar për shkak të fluksit të madh të emigrantëve shqiptarë që nxitojnë të vijnë në atdheun e tyre, policia shqiptare ka kërkuar një takim urgjent me palën greke mesditën e të dielës.
***
Shefi i komisariatit të Devollit dhe një grup drejtuesish të tjerë të pikës së kalimit në Kapshticë kanë marrë një takim me autoritetet greke në anën e tyre të kufirit gjatë mesditës të të dielës ku ka kërkuar të evitohen radhët e gjata nga ana e palës së shtetit fqinj, ndërsa iu kanë kërkuar mundësinë e shtimit të sporteleve në funksion të evitimit të radhëve dhe pritjes së gjatë të emigrantëve të cilët kalojnë në një sitë të imtësishme për të gjithë dokumentacionin e tyre si dhe për mjetet që ata posedojnë gjatë lënies së Greqisë në pikën e kalimit të Kapshticës. Sipas drejtorit të policisë së qarkut të Korçës, Emri Vataj, situata është nën kontroll dhe pritja ndihet vetëm në anën greke, ndërsa në pikën shqiptare të kalimit nuk ka asnjë moment pritjeje për shkak se janë vënë në punëplot shtatë sportele. Sipas Vataj, pala greke për herë të parë është duke aplikuar kontroll të emigranteve edhe për daljet nga Greqia çka e rrit volumin e punës për ta, por shton dhe kohën e përpunimit të të dhënave dhe marrjes së një vule dalëse nga Greqia.
Policia lokale ka shtuar numrin e sporteleve dhe ka vendosur një pikë ambulante të ndihmës së shpejtë
Vlorë, rekord emigrantësh me rastin e festave
VLORË- E diela e djeshme ka shënuar numrin më të lartë të hyrjeve në portin e Vlorës gjatë këtij muaji. Rreth tre mijë persona dhe 800 automjete kanë hyrë nga pika e kalimit kufitar në port me tre tragetet e linjës që operojnë aktualisht në linjat me Brindizin dhe Otranton. Fluksi ka pësuar rritje prej të shtunës, ku kanë hyrë 1500 persona dhe 750 automjete, shifrat këto që shënojnë kapacitete maksimale në portin e Vlorës, port i cili ka kapacitete të kufizuara, referuar atij të Durrësit. Për të eliminuar radhët e gjata të pritjes janë hapur sportele shtesë, si dhe është shtuar personeli në port. Sipas kreut të drejtorisë rajonale të kufirit në Vlorë, Myzafer Elezi, është dyfishuar numri i sporteleve, duke kaluar nga katër sportele në tetë. Kjo masë sipas tij është ndërmarrë për të krijuar gjithë lehtësirat e mundshme për emigrantët, kjo si për hyrjet, ashtu edhe për daljet e tyre, ku këto të fundit gjithmonë janë edhe më problematike për radhët. Me shtimin e tyre dhe personalit, është shkurtuar koha e përpunimit të një emigranti, duke synuar përmirësimin e shërbimit. Ndër emigrantët e ardhur sot kanë qenë edhe shumë emigrantë maqedonas, të cilët do të vijojnë udhëtimin përtej kufirit. Po sipas Elezit, sipas urdhrit të ministrit ka nisur funksionimi i një pike ambulante të ndihmës së shpejtë, me personel mjekësor, e cila do të jetë në funksionim 24 orësh.Sipas statistikave të viteve të mëparshme, këtë periudhë hyjnë drejt pikës kufitare të portit të Vlorës mbi 20 mijë emigrantë, të cilët kalojnë festat e fundvitit në Shqipëri. A. Peçi
Pika e vogël kufitare që ndodhet në Sarandë po përballet këto ditë me një fluks prej një mijë emigrantësh
Festat, Qafë Bota "pushtohet" nga emigrantët
SARANDË- Atmosfera e festave të fundvitit dhe kthimi i emigrantëve nga Greqia që i shoqëron çdo vit ato është ndier edhe në pikën e kalimit të kufirit të Qafë Botës, në Sarandë. Kjo pikë shërben edhe si pikë doganore në kufirin greko-shqiptar, dje ka parë një "lumë" emigrantësh të kthyer për të kaluar festat e fundvitit pranë familjeve të tyre në rajonin jugor. Ky fluks emigrantësh ka rastisur të vijë pikërisht ditën e ndërrimit të komandantëve të kësaj pike kufitare. Sipas Enver Meçajt, komandantit të ri të pikës së Qafë Botës, dje ka qenë një nga ditët me ngarkesën më të madhe. "Deri në orën 14.00 kanë kaluar mbi një mijë persona si dhe rreth 250 autovetura drejt vendit tonë. Kjo është një shifër e pazakonte për këtë pikë të vogël kufitare. Nga ana jonë, për t'i ardhur në ndihmë emigrantëve, si dhe për zvogëlimin në maksimum të kohës së qëndrimit dhe pritjes për kryerjen e procedurave kemi hapur tre sportele, të cilët punojnë gjatë gjithë ditës",- tha dje komandanti i pikës kufitare të Qafë Botës. Kjo pikë po bëhet një pikë gjithnjë e më e ngarkuar, për shkak të punës sezonale të vjeljes së agrumeve dhe punimeve në sektorin e bujqësisë në rajonin e Sajadhës. Ditët e shtuna e të diela kanë një ngarkesë ekstra pasi në këtë rrugë lëvizin me shumicë banorë që punojnë gjatë javës në Sajadhë, Asproklisi e Thesproti, për lehtësirat e krijuara nga pala greke në hyrjen dhe daljet e punonjësve sezonalë me kontratat individuale të aplikuara në këto dy vjetët e fundit me fuqinë punëtore nga zona e minoritetit dhe rajoni Konispol, Xarrë, Muyrsi, Vrinë etj. Kalimi në drejtim të Sarandës vështirësohet për shkak të rrugës ende të paasfaltuar, e cila nga shirat e rënë kohët e fundit është dëmtuar së tepërmi. Edhe në Portin e Sarandës vazhdon fluksi i kthimit të emigrantëve. Shtimi i numrit të trageteve dhe sporteleve për lehtësimin e procedurave të shërbimit të udhëtarëve ka shkurtuar ndjeshëm kohen e kalimit drejt brendësisë së vendit.