E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me pistoletë në avion, arrestohet i riu nga Vlora

Laurent Dervishaliaj është ndaluar dje rreth orës 18:00 në Aeroportin e Rinasit. Policia përjashton pistën e terrorizmit. I ndaluari nuk pranon të flasë para policisë

Artan CENA
TIRANË - Arrestohet pasi tentoi të ngjitej me armë në avion. Një person është vënë në pranga pasditen e djeshme në Aeroportin e Rinasit. Laurant Dervishaliaj, 25 vjeç, nga Vlora, emigrant i rregullt, ka qenë duke kaluar çekinin dhe policia po i kontrollonte sendet personale. Gjatë kalimit të bagazheve në skaner efektivët e policisë dhe forcat e sigurisë së aeroportit kanë parë objektin që i ngjasonte një arme. Menjëherë është dhënë sinjali i alarmit dhe poseduesi i sendeve është shoqëruar. Nga ana tjetër, policia ka hapur bagazhet dhe ka bërë kontrollin fizik të tyre. Dyshimet janë vërtetuar. Në çantën personale që ai kishte me vete është gjetur arma, një pistoletë e tipit “Zastava”, që është sekuestruar menjëherë. I shoqëruari është vënë menjëherë në pranga dhe është shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë së Rinasit e më pas në Drejtorinë e Tiranës. Janë të paqarta shkaqet e mbajtjes së armës nga i arrestuari. Policia është kujdesur që të përjashtojë menjëherë pistën e terrorizmit.
Hetimet
Me arrestimin e Dervishaliajt kanë nisur dhe hetimet për të zbardhur shkakun se pse ai po ngjitej me armë në avion. Ai është sjellë me shpejtësi në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje nga ekspertët e krimeve të rënda. Dervishaliaj do të nisej me një nga avionët e linjave të orës 18:00 të pasdites. Burime policore thanë se destinacioni i të arrestuarit ishte Italia, më konkretisht qyteti i Xhenovës. Uniformat blu kanë bërë të ditur se arma mendohet se do të përdorej nga i 25-vjeçari për ndonjë krim, por duke përjashtuar kategorikisht mundësinë e një akti terrorist gjatë fluturimit. Dyshimet janë që Dervishaliajn po e prisnin persona të tjerë në aeroportin e Italisë. Dy janë pistat ku po hetohet; ajo e trafikimit dhe e përdorimit për ndonjë krim në Itali, ku ai ishte emigrant i rregullt. Arma e gjetur, e llojit “Zastava”, është bllokuar dhe dërguar menjëherë për t’u ekzaminuar për të parë nëse ajo është e përdorur më parë në ndonjë krim të ndodhur në Shqipëri.
Policia
Me të kapur armën, policia dhe forcat e sigurisë së aeroportit kanë shtuar masat e sigurisë në ambientet e brendshme dhe të jashtme. Laurant Dervishaliaj rezultoi i pajisur me dokumente të rregullta për të fluturuar drejt Italisë, thanë burimet zyrtare të policisë. Laurant Dervishaliaj është nga qyteti i Vlorës dhe armën e kishte fshehur në sendet personale, por që u zbulua gjatë procesit të skanimit. Burime policore kanë bërë të ditur se janë duke bërë hetime intensive për të zbuluar shkakun e mbajtjes së armës me vete gjatë fluturimit. Pistat e hetimit janë dy, por nuk përjashtohen dhe të tjera.

Aksidenti
Përplasen në autostradë, humbin jetën dy të rinj
LAÇ - Një aksident me pasojë vdekjen e dy të rinjve ka ndodhur pasditen e djeshme në kryqëzimin e rrugës së Patokut, në Laç, në autostradën që quhet dhe si Rruga e Vdekjes. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë kanë bërë të ditur se, “aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:40, në vendin e quajtur Kryqëzimi i Patokut, në superstradën Milot-Fushë-Krujë”. Në këtë orë, automjeti kamionçinë me targë LA 0261 A, që drejtohej nga Kastriot Lleshi, rreth 35 vjeç, banues në Laç, është përplasur me mjetin motor tip “Honda” dhe si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Zef Turja, 20 vjeç, banues në Laç. Nga përplasja është plagosur rëndë dhe shtetasi tjetër Alban Zajçi, 20 vjeç, banues në po Laç, i cili është dërguar në gjendje të rëndë drejt Spitalit Ushtarak Tiranë. Por edhe ky i fundit ka gjetur vdekjen gjatë rrugës duke u transportuar për në kryeqytet. Policia tha se të dy viktimat ishin duke udhëtuar me motoçikletë. Në vendngjarje ka mbërritur policia rrugore dhe një grup hetimor që ka kryer hetimet e para. Si shkak i këtij aksidenti të rëndë mendohet të jetë shpejtësia e madhe me të cilën po qarkullonin mjetet. Policia ende nuk ka sqaruar se, kush e kishte fajin për këtë ngjarje të rëndë.

24 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›