E Diel, 1 Nëntor 2026

Për qiranë, pranga italianit, qëlloi me armë mbi shqiptarin



ROMË - Qëllon mbi shqiptarin vetëm se i vonoi qiranë një ditë. Ngjarja ka ndodhur në kryeqytetin italian, Romë, ku në pranga është vënë një qytetar 53-vjeçar. Siç bën të ditur gazeta italiane “Il Messagero”, italiani i kishte telefonuar disa herë gjatë paradites së të premtes emigrantit 25-vjeçar nga Shqipëria, për të marrë pagesën e qirasë, por ai nuk i ishte përgjigjur. Pas telefonatave, ai, në orët e vona të darkës kishte shkuar te apartamenti dhe kishte qëlluar me armë. Emigranti, kur kishte dëgjuar krismat kishte dalë menjëherë nga banesa dhe ishte përballur me pronarin e banesës. Ai kishte telefonuar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka vënë në pranga italianin 53-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Gjatë operacionit policia ka sekuestruar dhe një pistoletë kalibër 38 speciale, bashkë me katër plumba, si dhe 24 plumba të llojeve të ndryshme. Italiani është vënë në pranga për akuza të ndryshme si, “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “prishje të qetësisë publike”, “trafik municionesh” dhe “blerje të sendeve që kërcënojnë sigurinë”.

Itali
Sherr në burg mes shqiptarëve dhe italianëve, të plagosur
MODENA - Një sherr i dhunshëm ka plasur në burgun e Sant’Anës në Modena, ku janë përfshirë të burgosur shqiptarë dhe italianë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë dhe sipas të dhënave nga policia, ka pasur disa të plagosur mes të dënuarve. Menjëherë kanë ndërhyrë policët e burgut që kanë vënë dhe qetësinë. Shkaktarët e zënkës së madhe janë denoncuar nga policia. Ata janë vënë përkohësisht në izolim. Ngjarja është bërë e ditur nga kreu i Sindikatës së Policisë së Burgjeve (Sappe). “Në periudhën e fundit, në burgjet italiane, – ka thënë Giovanni Battista Durante, sekretari i Përgjithshëm i Sappe, – ngjarjet e rënda (zënkat, agresionet etj.) janë dyfishuar. Çdo ditë ndodhin 100 deri në 150 zënka në ditë”. Sipas tij, në burgun e Modenës janë 519 të burgosur, ndërsa 240 është numri i policëve dhe, sipas tij, rreth 70 për qind janë të huaj. Ai ka treguar dhe për ngjarjen e ndodhur në burg një ditë më parë, ku sherri ka qenë i dhunshëm dhe në të ishte përfshirë një numër i madh i të burgosurve.

Përurimi, qendër rehabilitimi për përdoruesit e drogës

ELBASAN - Në qytetin e Elbasanit është përuruar gjatë ditës së djeshme një qendër e re diagnostikimi për përdoruesit e drogës. Kjo qendër synon të zbusë të gjithë fenomenet që lidhen me drogën, ku krahas terapisë jep edhe këshillim në mënyrë që përdoruesit të mos jenë të varur nga droga. Drejtori Ekzekutiv i kësaj qendre, Genci Muçollari, deklaron se në terapi përfshihet rehabilitimi i përdoruesve të drogës, jo vetëm duke i dhënë metadonin falas, por edhe përmirësimin e marrëdhënieve me familjen, komunitetin, si edhe shmangien e veprave penale. Qendra synon të zbusë këtë fenomen, duke integruar këta persona. Terapia përfshin shmangien e virusit HIV, pasi një i droguar duke u injektuar me shiringë është i rrezikuar nga hepatiti, ndërsa duke marrë terapinë do të shmangë këtë virus. Qendrën e hapi organizata jofitimprurëse "Aksion Plus", me qendër në Tiranë, e cila ka hapur disa qendra të tjera, si në Durrës, Vlorë, dhe Korçës.

70 milionë lekë, punëtorët pa rroga, bllokohen makineritë e firmës

FIER - Që prej ditës së djeshme, firma përgjegjëse për ndërtimin e autostradës Fier-Vlorë, në Frakull, nuk do të mund të përdorë 30 automjetet e tonazhit të lartë. Ish-punonjësit e saj i kanë bllokuar ato në shenjë proteste, pasi pretendojnë se “firma nuk ka shlyer detyrimet financiare për disa muaj”. Sipas tyre, “disa prej kolegëve kanë deri në gjysmë viti pa marrë pagat mujore”. I njëjti problem ka mbërritur dhe në dyert e komunës Frakull, kreu i së cilës thotë se borxhi i firmës që sipas tij ka ndryshuar dhe emër dhe është larguar në qytet tjetër, ndaj ish-punonjësve të saj, arrin deri në 70 milionë lekë. Kreu i komunës Frakull, Viktor Cervanaku, duke iu referuar listave të punonjësve thotë se disa prej tyre janë nga Frakulla, disa nga Vlora dhe Novosela. Ta kanë pritur për muaj që të marrin pagat e tyre, por kur kanë parë se gjithçka dukej e zymtë kanë vendosur të bllokojnë makineritë. Ata kanë deklaruar se, shpeshherë kanë marrë premtime nga drejtuesit e firmës, por nuk u janë dhënë paratë. Lirimi i makinave që të nisë puna do të bëhet vetëm kur ish-punonjësit të marrin paratë e rrogave për punën që kanë bërë. Deri mbrëmjes e djeshme në kantier nuk është paraqitur asnjë nga drejtuesit e firmës, ndërkohë që dhe policia nuk ka ndërhyrë.

24 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›