E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me plot plane

E kemi parë shpesh në Oxygen, por nuk do ta shohim më në këtë emision. Ajo është tërhequr përderisa në plan ka shumë projekte të reja. Vazhdon kohë pas kohe të ushtrojë profesionin e saj të psikologes, ndërkaq pritet të bëjë edhe një video-klip të ri. Nga Ardian Jasiqi më 14 janar 2011 në ora 18:47

Është njëra prej këngëtarëve që qysh në fillim karrierën e saj e zhvilloi nëpër festivale të ndryshme të Kosovës.

Pas një viti të cilin ajo e konsideron të suksesshëm, tani dëshiron që të vazhdojë suksesin duke punuar edhe nëpër mjuzikëlla të ndryshëm.

Madje ajo ka një projekt të këtillë në dorë që quhet “Olivieri kosovar” dhe thotë se për momentin do të koncentrohet në këtë mjuzikëll.

“Për këtë vit ka një numër të madh të projekteve dhe planeve. Një prej tyre ishte edhe ai i vitit të kaluar, ku do të punohet në edicionin e dytë të mjuzikllit ‘Olivieri i Kosovës’, e cila pritet që të shfaqet në pranverë”, ka thënë këngëtarja në një bisedë të shkurtër Kuqi për Express.

Sipas saj, ky mjuzikëll do të shfaqet nëpër qytetet e ndryshme të Kosovës, ndërkaq ajo luan rolin kryesor në të.

“Unë kam njërin prej roleve kryesore dhe për këtë ky është një nder për mua”, ka thënë këngëtarja.

Por, ky nuk do të jetë projekti i vetëm i Yllkës.

Ajo thotë se është duke punuar edhe në një videoklip të ri që pritet të realizohet po ashtu në periudhën e parë të vitit.

Vite më parë Yllka nuk ka qenë shumë e angazhuar në realizimin e spoteve, por tani thotë se këtë do ta bëjë më shpesh.

“Tashmë e kam pasur një spot që e kam realizuar në vitin që e lamë pas. E konsideroj atë si shumë të suksesshëm dhe do të punoj edhe më shumë në këtë drejtim”, ka thënë Kuqi.
Ndërkaq, për adhuruesit e saj ka edhe një lajm të hidhur sepse nuk do të jetë më pjesë e stafit të emisionit “Oxygen”, në të cilin staf ajo kishte punuar për disa muaj.

Ajo është tërhequr nga ky emision për shkak të angazhimeve të tjera.

“Por, për mua ka qenë kënaqësi që kam qenë pjesë e këtij emisioni dhe punë njëkohësisht. Kënaqësi të punosh me Besimin dhe gjithë pjesën tjetër të stafit të Oxygenit”, ka thënë ajo.

Vitin e kaluar Yllka kishte realizuar një spot të këngës “E jotja s’jam”, ndërkaq në emisionin “Oxygen” kishte realizuar disa këngë të vjetra të muzikës popullore dhe asaj qytetare.

Nga ana tjetër, ajo vazhdon që të ushtrojë edhe profesionin e psikologes, që e bën me fëmijët dhe adoleshentë.

“Si psikologe vazhdoj ta bëj punën time sidomos me fëmijë dhe adoleshentë, punë të cilën e bëj më përkushtim”, ka thënë Kuqi në këtë bisedë të shkurtër për Rozë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›