E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në mars, grada dhe paga të reja për policët e burgjeve



Dy komisione në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrinë e Drejtësisë do përcaktojnë gradat për Policinë e Burgjeve. Ndryshimi i gradave, ndryshime edhe në pagat e punonjësve të policisë

Në mars të këtij viti pritet të përcaktohen saktësisht gradat për Policinë e Burgjeve, të rregulluara në bazë të ligjit të ri “Për Policinë e Burgjeve”. Do jenë dy komisione që do të përcaktojnë gradat për çdo nivel punonjësish në strukturën e Policisë së Burgjeve, njëri për gradat e nivelit të parë, që do të ngrihet në Ministrinë e Drejtësisë, dhe tjetri për nivelet e tjera, që do të ngrihet në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Komisionet e Gradimeve për rolin e mesëm dhe rolin e lartë, propozojnë dhënien e gradave përkatëse mbi bazën e vlerësimit të kritereve të parashikuara në këtë ligj për fitimin e gradës. Sipas ligjit, përbërja dhe funksionimi i Komisionit për Dhënien e Gradave për rolin e mesëm përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Ndërsa, përbërja dhe funksionimi i Komisionit për Dhënien e Gradave për rolin e lartë përcaktohet me urdhër të ministrit të Drejtësisë. Në ligjin e ri është rregulluar hollësisht çështja e gradave të Policisë së Burgjeve, ku përfshihen çështje si hierarkia për rolet dhe gradat, kriteret për fitimin e gradës, përcaktimi i funksioneve për gradë, heqja apo ulja në gradë, si dhe e drejta e ankimit në rast se punonjësi nuk është dakord me vlerësimin për gradën. Efekti financiar i ligjit “Për Policinë e Burgjeve”, duke llogaritur fondin e pagës, si dhe të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, arrin në shumën prej 1.750.987 mijë lekësh. Përllogaritja është bërë duke pasur parasysh që sistemi i gradave i propozuar të përputhet me tabelën e pagave të Ministrisë së Brendshme për këto grada, duke i zhveshur nga specifikimet që ka vetë Ministria e Brendshme. Gjatë përllogaritjes u konsiderua mesatarja e vjetërsisë dhe gradave sipas vendeve të punës; si dhe u mor në konsideratë niveli aktual i trajtimit financiar për Policinë e Shtetit, përshtatur në shërbimet që realizon Policia e Burgjeve. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë të ditur se komisioni që do të ngrihet në këtë drejtori do të përcaktojë gradat për punonjësit e rolit bazë dhe atij të mesëm, ndërsa komisioni që do të ngrihet në Ministrinë e Drejtësisë do të përcaktojë gradat e rolit të lartë. Në përfundim të përcaktimit të gradave, do fillojë zbatimi i pagave sipas gradave të marra dhe efektet financiare, të cilat do të rregullohen me ligj.

Si do të bëhet ngritja në gradë

Çdo ngritje në gradë do të bëhet përmes konkurrimit. Ngritja në gradë e punonjësit të policisë nënkupton ngritjen e tij në detyrë, sipas tabelës së funksioneve korresponduese për çdo gradë. Ngritjet në gradë bëhen vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë. Në urdhrin për ngritje në gradë, komisioni i dhënies së gradave përcakton gjithashtu funksionin përkatës të punonjësit të policisë. Punonjësit e policisë mund të ngrihen në gradë vetëm pasi të kenë përfunduar me sukses kursin e trajnimit përkatës për atë gradë. Punonjësit e policisë zgjidhen për të ndjekur kursin e trajnimit, duke u bazuar në listën emërore të së drejtës për gradë, të hartuar pas procesit konkurrues. Numri i përllogaritur për vendet e lira njoftohet brenda datës 31 mars të çdo viti. Ngritjet në gradë nga “Inspektor” deri në “Drejtues i parë” bëhen nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues, që përfshin raportet e vlerësimit të punës dhe një provimi, i cili teston aftësitë e aplikantëve për të marrë gradën pasardhëse. Ndërsa, grada “Nëninspektor” i jepet punonjësit të rolit bazë që në momentin e fillimit të punës, pas përfundimit me sukses të periudhës së kursit bazë në Qendrën e Trajnimit. Sipas ligjit të ri, punonjësit e policisë, të cilët konkurrojnë dhe hyjnë në Qendrën e Trajnimit, do të mbajnë gradën dhe pagën e tyre ekzistuese si gjatë kursit, ashtu edhe pas përfundimit të tij. Ngritja në gradën “Inspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, e cila pason një kurs formimi në Qendrën e Trajnimit. Referuar ligjit të ri për “Policinë e Burgjeve”, ngritja në gradën “Kryeinspektor” bëhet pas përfundimit me sukses të periudhës dyvjeçare të provës, e cila pason një kurs formimi në Qendrën e Trajnimit. Gjithashtu, punonjësit të policisë i lind e drejta të aplikojë për të konkurruar në procesin e përzgjedhjes, pas plotësimit të kohës së qëndrimit në gradë, në bazë të disa afateve.

Ndërprerja e karrierës, kur llogaritet gradimi

Në vjetërsinë për efekt gradimi llogaritet edhe koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të paaftësisë së përkohshme shëndetësore, si pasojë e sëmundjes apo dëmtimit për shkak të punës; paaftësisë shëndetësore, e cila nuk ka ardhur si pasojë e punës deri në 6 muaj; pezullimit apo largimit për shkaqe disiplinore, si rezultat i një urdhri ose vendimi të paligjshëm; si dhe pezullimit deri në përfundimin e hetimit të një kallëzimi ose një ankese për sjellje në kundërshtim me Rregulloren e Disiplinës, derisa autoriteti kompetent të marrë vendimin përfundimtar për çështjen. Gjithashtu, në vjetërsinë për efekt gradimi nuk llogaritet koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të lejes së përfituar pa të drejtë pagese dhe pezullimeve për shkaqe disiplinore.

Komisioni i Drejtorisë së Burgjeve përcakton këto grada

a) Për punonjësit e rolit bazë:

1) Nëninspektor;

2) Inspektor;

3) Kryeinspektor.

b) Për punonjësit e rolit të mesëm:

4) Nënkomisar;

5) Komisar.

Komisioni i Ministrisë së Drejtësisë do të përcaktojë këto grada

c) Për punonjësit e rolit të lartë:

6) Kryekomisar;

7) Drejtues;

8) Drejtues i parë.

Cilat janë afatet për të konkurruar për rritje gradimi

a) nga “Inspektor” në “Kryeinspektor”, 2 vjet

b) nga “Kryeinspektor” në “Nënkomisar”, 2 vjet

c) nga “Nënkomisar” në “Komisar”, 3 vjet

d) nga “Komisar” në “Kryekomisar”, 3 vjet

e) nga “Kryekomisar” në “Drejtues”, 3 vjet

f) nga “Drejtues” në “Drejtues i parë”, 4 vjet

Paga rritet në bazë të gradës

Ligji i ri për Policinë e Burgjeve parashikon se paga e punonjësve caktohet sipas gradës dhe funksionit që mban marrësi i saj. Po në këtë ligj thuhet se “Paga mujore përbëhet nga paga bazë, pra paga për gradë dhe shtesat mbi këtë bazë për kushte të tjera të veçanta gjatë shërbimit”. Sipas tij, punonjësit e Policisë së Burgjeve përfitojnë në fund të çdo viti financiar një shpërblim sipas vlerësimit të punës deri në një pagë mujore. Një sistem i tillë i pagave dhe vlerësimit në këtë aspekt, duket se është bazuar në skemën e përdorur nga Policia e Shtetit, e cila gjithashtu vitin që shkoi kreu një reformë totale mbi gradat dhe hierarkinë në radhët e saj, duke vendosur edhe pagën mujore të efektivave në varësi të këtyre përcaktimeve. Megjithatë, ajo që bie në sy është përcaktimi në ligjin e Policisë së Burgjeve, se punonjësit e kësaj strukture në çdo fundviti financiar mund të marrin shpërblime që arrijnë deri në vlerën e një page mujore.

Emërtimet e gradave, sipas roleve dhe ecurisë në karrierë, janë:

a) Nëninspektor për policët e rolit bazë në detyra të thjeshta shërbimi;

b) Inspektor për përgjegjësit e shërbimit;

c) Kryeinspektor për ndihmësit e specialistëve dhe përgjegjësit e grupeve të shoqërimit.

2. Punonjës i rolit mesëm:

a) Nënkomisar për specialistët e trupës;

b) Nënkomisar, Komisar për shefat e regjimeve dhe specialistët e informacionit;

c) Komisar, Kryekomisar për specialistët në DPB dhe përgjegjësit e sigurisë.

3. Punonjës i rolit lartë:

a) Kryekomisar, Drejtues për Përgjegjësit e Sektorëve në DP-në e Burgjeve.

b) Drejtues, Drejtues i parë për drejtorin e Policisë së Burgjeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›