E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më së lehti për Flamurtarin

Nga Prishtina, Ejup LLUMNICA
Sot zhvillohen ndeshjet cerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Vetë ndryshimet që janë bërë këtë herë në rrjedhën e këtyre garave, ku skuadrat zhvillojnë vetëm një ndeshje pa atë kthyese, i kanë bërë ato shumë më interesante. Ndeshja kryesore e këtij rrethi padyshim është ajo në Gjilan, ku skuadra kampione e Kosovës, Besa, do të përballet me nikoqirin Gjilanin, i cili cdo herë e më shumë po tregon lojëra më të mira. Gjithsesi, është ky një rast i mirë për futbollistët e Gjilanit që përballë kampionëve të tregojnë lojë cilësore dhe të dëshmojnë se rezultatet e deritashme ishin vërtet të merituara. Në anën tjetër, takim interesant me finish dramatik pritet të jetë ai në Vushtrri, ndërmjet Kosovës dhe Lirisë. Të dyja skuadrat kanë cilësi të barabarta, andaj edhe epilogu përfundimtar është vështirë të parashikohet. Besiana, që si duket e ka siguruar pozitën e saj në tabelë, cka do të thotë se nuk e rrezikon mbijetesën, të gjitha forcat tashmë me siguri do t'i përqendrojë në garat e Kupës. Llapjanët këtë herë do të udhëtojnë për në Pejë, ku do të ballafaqohen me Shqiponjën, skuadër kjo shumë e fortë dhe cilësore. Për dallim nga takimet e tjera, si duket punë më të lehtë ka Flamurtari, i cili përballet me Kosovën e Prishtinës. Flamurtarët edhe më herët kanë paralajmëruar se objektiv kryesor për ta do të jetë Kupa e Kosovës, andaj me të drejtë pritet që me lehtësi ta kalojnë këtë rreth. Gjithsesi, vetë rregullat të cilat parashohin në këtë rreth vetëm një takim, bëjnë që skuadrat në lojë të hynë maksimalisht të përqendruara, pasi që vetëm një gabim i vogël mund t'u kushtojë me eliminim nga garat e Kupës, trofe ky shumë i cmueshëm për skuadrat kosovare. Orari i ndeshjeve: Gjilan: Gjilani - Besa A. Hoxha, Z. Berisha, N. Ajvazi Vushtrri: Kosova (V) - Liria H. Hajdari, G. Daka, A. Sopi Prishtinë: Kosova (P) - Flamurtari Z. Qorraj, G. Shala, F. Agërbashi Pejë: Shqiponja - Besiana P. Hasani, I. Shuleta, K. Bunjaku * Ndeshjet fillojnë në ora 14:00 dhe nuk ka ndeshje kthyese

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›