E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panajot Pano: “Bullgaria e fortë, por jo e pathyeshme”

Nga Dash Frashëri
EKSKLUZIVE - "Bullgaria, si një vend ballkanik, ka një futboll të këtij stili. Unë mendoj se nuk është e pathyeshme. Shpresat për një rezultat pozitiv janë reale", - thotë ekskluzivisht për "Albania"-n futbollisti më i madh shqiptar, njëherësh edhe një nga 52 fituesit e cmimit "Lojtari i artë" (nga një për cdo vend) dhënë nga UEFA në vitin 2003 dhe "Lojtari i shekullit" i shpallur nga FIFA në vitin 2005. Shqipëria do të luajë sot kundër Bullgarisë, në stadiumin "Vasil Levski" (ora 18:00), ndeshjen e saj të pestë në eliminatoret e Euro 2008, një takim që shënon edhe rikthimin e trajnerit Oto Baric në bankinë. Pano është një nga ata lojtarë të Kombëtares që ka qenë pjesë e formacionit kuqezi kundër fqinjëve të largët ballkanikë. "Kam luajtur disa herë kundër ekipit përfaqësues të Bullgarisë dhe klubeve të tyre. Kemi humbur në Shqipëri 0-1 (2 qershor 1963), por edhe kemi fituar kundër ekipit të tyre Olimpik 2-0, në një ndeshje miqësore, ashtu sic kemi humbur dhe në Sofje 1-0 (16 qershor 1963). Skuadra jonë përfaqësuese drejtohej nga i paharrueshmi Loro Borici, ndërsa ajo bullgare nga hungarezi Bela Valentin", - thotë Panajot Pano, njëherësh edhe autori i një goli në fitoren 2-0 me ekipin Olimpik. "Një gol e kam bërë unë dhe tjetrin e realizoi Skënder Hyka", - shton Pano, sulmuesi i fuqishëm shtatshkurtër, që, gjatë karrierës së tij futbollistike, ka luajtur mbi 700 ndeshje, 100 prej të cilave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato miqësore të klubeve dhe ekipeve Kombëtare dhe Olimpike. Bilanci i Panos, i konsideruar si "Litlle Puskas" (Pushkashi i vogël), është i jashtëzakonshëm: 400 gola në kampionatet dhe Kupën e Shqipërisë dhe më shumë se 50 gola në ato ndërkombëtare. Goli i parë i Panos është ai kundër Danimarkës në fitoren 1-0 në Tiranë, më 30 tetor 1963. Joti, sic thirret miqësisht ai nga miqtë, jep dhe një opinion për takimin me Slloveninë, i cili përfundoi në barazim 0-0. "Për mendimin tim, ndeshja e ekipit Kombëtar me Slloveninë la për të dëshiruar. Nuk kishte motive apo ego për të luajtur. Më tepër spikati loja individuale dhe mungoi ajo kolektive", - thotë "Mjeshtri i golit", që kujton se ndeshja e Shkodrës nuk ka të bëjë kurrsesi me atë që prodhuan Pano me shokë në barazimin legjendar me Gjermaninë (0-0) në vitin 1967, kur Shqipëria luajti kundër Franc Bekenbauerit me shokë. Pano është një gjykues i ftohtë, pasi përvoja e tij në fushën e futbollit, kur ka luajtur kundër lojtarëve të mëdhenj nga Gjermania, Jugosllavia, Polonia, Turqia apo Bullgaria, e bën autoritar në mendimin e tij. "Lojtarët duhet të japin shpirtin në fushën e lojës. Nëse nuk e bëjnë atë, nuk do të fitojnë dot kurrë. Këta lojtarë kanë më shumë mundësi se ne, pasi luajnë në kampionate të huaja dhe të rëndësishme, në Itali, Gjermani, Francë, Greqi, etj", - përfundon ish-sulmuesi i madh, që nuk mundi të luajë për asnjë ekip të huaj, edhe pse pati disa oferta nga vëzhgues nga Gjermania, Holanda, Danimarka, Zvicra, Irlanda e Veriut, apo Turqia, të ardhur së bashku me ekipet e tyre Kombëtare për llogari të klubeve të huaja. LEGJENDA PANO Panajot Pano, 68 vjec, është lindur në Durrës, më 7 mars të vitit 1939, por prindërit e tij janë me origjinë nga Delvina. Ai vlerësohet si njëri nga futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë. Pano e nisi karrierën e tij si portier me të rinjtë e SK Tirana, për ta vazhduar atë si sulmues përpara se të transferohej te KF Partizani. Pano fitoi katër kampionate (1961, 1962, 1964 dhe 1971) dhe pesë Kupa të Shqipërisë me Partizan. Në vitin 1970, ai fitoi Kupën Ballkanike. Sulmuesi i njohur zhvilloi 25 ndeshje ndërkombëtare me ekipin kombëtar. Në nëntor të vitit 2003, me rastin e jubileut të UEFA-s, ai u shpall "Lojtari i artë" i Federatës Shqiptare të Futbollit. Në vitin 2005, ai u shpall "Lojtari i shekullit" nga FIFA. KAIZERI "Nëse Panajot Pano ndoshta nuk mund të më kujtojë më, unë e kam parasysh atë gjithmonë", - është shprehur për shtypin gjerman "Kaizeri", Franc Bekenbauer, një tjetër legjendë e madhe e futbollit botëror dhe Gjermanisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›