E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC, kalojnë tek “Cosmote” 12% e aksioneve



“Cosmote” ka marrë zyrtarisht 12 për qind të paketës së aksioneve nga kompania e telefonisë celulare AMC. Në një ceremoni të zhvilluar dje në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zëvendësministri Eno Bozdo dhe drejtori i Përgjithshëm i kompanisë “Cosmote Mihail Tsamaz” nënshkruan kontratën e shitjes së paketës së aksioneve shtetërore prej 12.6%, në kompaninë AMC. Këto aksione janë blerë për 48.2 milionë euro nga kompania “Cosmote”, një ndër katër kompanitë që morën pjesë në garën ndërkombëtare që u zhvillua për këtë privatizim. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj kontrate, ministri Genc Ruli tha se “ne e konsiderojmë këtë privatizim si mjaft të suksesshëm dhe si një provë të mëtejshme në besimin e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri”. Kontrata e shitjes së aksioneve të AMC me kompaninë fituese (konsorcium) Cosmote/Telenor u nënshkrua në korrik 2000. Në bazë të ligjit, u krye shitja me tender të hapur ndërkombëtar e paketës prej 85% të aksioneve kompanisë Cosmote/Telenor, me një vlerë prej 85.6 milionë dollarë amerikanë (USD) dhe më pas u transferua paketa prej 2.4% për qind për llogari të punonjësve të shoqërisë. Procesi i privatizimit për pjesën e mbetur të aksioneve filloi në korrik të vitit 2008: për këtë u miratuan aktet nënligjore përkatëse, në përputhje me të cilat u realizuan procedurat e transferimit të kësaj pakete. Ky proces u realizua nga stafi i METE-s dhe u mbështet nga kompania konsulente UNICREDIT Zagreb, Kroaci, në bashkëpunim me të cilën u realizua procesi i vlerësimit dhe shitjes së aksioneve të mbetura shtetërore në shoqërinë AMC. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, zv.drejtori i përgjithshëm i “Cosmote”-s, zoti Michael Tsamaz, komentoi: “Në një situatë financiare globale plot sfida, “Cosmote” mbetet e angazhuar në planin e rritjes së saj në Evropën Juglindore. Shtimi i aksioneve të “Cosmote” në kompaninë e saj bijë AMC do të përmirësojë më tej menaxhimin e kapitalit qarkullues të grupit dhe do të forcojë më shumë mundësitë për rritje. AMC është lider në tregun celular në Shqipëri. Marzhi i EBITDA (të ardhurat para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) të saj renditet ndër më të lartët në Evropë. Kontributi i AMC në performancën e përgjithshëm të grupit “Cosmote” është i rëndësishëm”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›