“Më shumë reforma në sektorin farmaceutik”
“Sektori farmaceutik ka ende sfida për të përballuar”. Këtë deklaratë bëri dje Drejtoresha e ISKSH, Elvana Hana, gjatë konferencës së farmaceutikës. Gjithsesi ajo pranoi se zhvillimi i këtij sektori është mjaft i mirë. “Sistemi i kontraktimit me farmacitë, grosistët dhe depot sekondare, sistemi i vendosjes së çmimit të barnave mbi bazën e konkurrencës dhe përfshirja në listën e rimbursimit të alternativave tregtare mbi bazën e referencës së çmimeve janë arritje të rëndësishme”, tha Hana. Ndër të tjera ajo shtoi se është rritur vlera e shpenzimeve të rimbursimit për kategori të caktuara të popullatës në nevojë. Këtu u përmendën vlerat e recetës për trajtimin mujor të një pacienti me leucemi kronike, e cila shkon në rreth 3.2 milionë lekë. Ndërsa shpenzimet e rimbursimit të barnave në total, nga viti në vit kanë ardhur duke u rritur si rezultat i ndjeshmërisë dhe shtrirjes së skemës së sigurimeve shëndetësore. Por pavarësisht arritjeve, në krahasim me pjesën tjetër të sistemit shëndetësor, shumë sfida mbeten për t’u përballuar në të ardhmen nga sektori farmaceutik. ”Do të ishte mirë që ato të gjenin një konsensus sa më të gjerë nga specialistët e fushës në aktivitete dhe konferenca të rëndësishme si kjo e sotmja”, tha Hana. Specialistë të tjerë të pranishëm në konferencë shtuan se një nga sfidat më të mëdha është zbatimi i parimit të kosto-efektivitetit të barnave.