“Më sulmuan me acid sapo hapa derën e lokalit, u dëmtova në fytyrë”
Nëndrejtori i Përmbarimit në Tiranë, Baftjar Nela, në një prononcim për gazetën “Shqip”, tha dje se është sulmuar me acid në fytyrë duke kryer detyrën shtetërore, atë të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor për lirimin e ambienteve të një lokali në afërsi të sheshit “Avni Rustemi”. Në prani të shefit të Përmbarimit të Tiranës, Arjan Bylykbashi dhe të disa punonjësve të policisë kriminale, Nela ka shkuar pranë ambienteve të lokalit dhe ka tentuar të hyjë brenda, duke përdorur edhe një levë, pasi dera ishte e kyçur. Me vendimin e gjykatës në dorë dhe në prani të uniformave blu, arriti të hapë derën dhe sapo ajo ka lëvizur disa centimetra, një person e ka sulmuar nga brenda lokalit. “Kishte një shishe në dorë dhe në këtë moment ma drejtoi në fytyrë. Instinktivisht ula kokën dhe lënda gërryese më preku syrin e majtë, duke më shkaktuar disa djegie”, tha Nela, duke shtuar se pas tij ishte edhe punonjësi i policisë, Artan Boçi, të cilin acidi e preku në bluzë, duke ia djegur. Ai tha se ngjarja ndodhi shumë shpejt dhe brenda lokalit ndodhej shtetasi Eqerem Visha së bashku me familjen e tij, bashkëshorten dhe vajzat.
HetimetNgjarja e së shtunës po hetohet nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës, ku të dëmtuarit, Baftjar Nela dhe punonjësi i policisë, Artan Boçi kanë dhënë deklarime para oficerëve të policisë gjyqësore. Në pyetje është marrë edhe i arrestuari Eqerem Visha, ndërsa drejtori i Përmbarimit të Tiranës, Arjan Bylykbashi, mund të thirret për dëshmi në prokurori dhe gjykatë. Materialet e ngjarjes së të shtunës kanë mbërritur në prokurori dhe akuza ka dërguar një kërkesë për masë sigurimi ndaj Eqerem Vishës në gjykatë, duke e akuzuar për “goditje për shkak të detyrës” dhe “pengimit gjatë ekzekutimit të një vendimi gjyqësor”. Sipas burimeve nga policia, Gjykata e Tiranës kishte urdhëruar disa javë më parë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor për një pronë në afërsi të sheshit “Avni Rustemi”. Gjatë ekzekutimit të vendimit, përmbaruesit kishin hasur në kundërshti të shoqëruara edhe me dhunë nga familja Visha, e cila nuk pranonte të lironte ambientin, megjithëse gjykata kishte një urdhër. Në disa raste, familja Visha kishte kërcënuar me jetë përmbaruesit dhe situata degradoi në përleshje fizike midis përmbaruesve dhe personave që nuk pranonin të lironin ambientin. I dëmtuar nga kjo ngjarje ka dalë edhe drejtori i Përmbarimit në Tiranë, Arjan Bylykbashi, i cili ka pësuar dhunë fizike dhe verbale nga familja Visha.
#