“Ndërtuesi”, në kërkim ndërkombëtar i teti
Prokuroria e Krimeve të Rënda shpall në kërkim ndërkombëtar Astrit Gocin, i dyshuar si pjesëmarrës në organizatën kriminale të drejtuar nga biznesmeni Arben Veliko, i arrestuar gjatë operacionit të koduar “ndërtuesi”. Gjykata vendosi disa javë më parë masën e arrestit me burg për Gocin, duke e akuzuar si pjesëmarrës në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Togat e zeza urdhëruan policinë të kontrollonte në banesat e Gocit dhe nga materialet që kanë mbërritur në prokurori dhe gjykatë rezulton se uniformat blu kanë “dështuar” në arrestimin e tij. Sipas informacioneve të policisë, i pandehuri rezulton të jetë larguar nga Shqipëria dhe dyshohet se fshihet në territoret e vendeve fqinjë, kryesisht në Maqedoni dhe Kosovë. Megjithatë, në polici dhe prokurori nuk ka ndonjë indicie për vendndodhjen e Gocit, duke i “detyruar” hetuesit e çështjes ta shpallin në kërkim ndërkombëtar. Mësohet se emri i Astrit Gocit ka dalë gjatë përgjimeve dhe roli i tij në organizatën e kryesuar nga Veliko nuk ka qenë thjesht transportues, por edhe gjetës i “lëndës së parë”.
Prokuroria thotë se ka të gjitha provat që implikojnë shtetasin Astrit Goci në këtë trafik të lëndëve narkotike, ndërsa gjatë një periudhe dyvjeçare, hetuesit kanë zbardhur edhe linjën e lëndës narkotike. Përgjimet e prokurorisë kanë zbuluar të gjithë aktivitetin e dyshimtë të grupit të Velikos, i cili mendohet se ka qenë në përgjim që nga viti 2005 në vendin tonë. Duke filluar nga viti 2008, grupi është mbajtur nën vëzhgim të imtësishëm, ndërsa janë monitoruar të gjitha lëvizjet e tyre drejt shtetit italian, ku dyshohet se trafikonin lëndën narkotike. Operacioni i koduar “Ndërtuesi” vuri në pranga Arben Velikon, Latimir Hoxhën, Panajot Dhiamandin, Sokol Kashtën dhe Orges Jahelezin. Prokuroria thotë se ka dokumentuar vetëm një rast të trafikut të drogës, ku grupi i kryesuar nga Arben Veliko ka dërguar në shtetin italian rreth 12 kilogramë heroinë. Me ndihmën e ndërmjetësit, Orges Jahelezi, lënda narkotike i është dorëzuar një shtetasi italian. Ky i fundit, pas verifikimeve të sasisë së mallit, nuk e ka pranuar, pasi ishte i një cilësie shumë të keqe. Veliko ka urdhëruar dy korrierët, Julian Kajdo dhe Eduart Toshkollari, për të rimarrë lëndën narkotike dhe sapo e morën në dorë, policia italiane i arrestoi në flagrancë. Ndalimi i tyre është kryer në vitin 2008, ndërsa gjatë kësaj kohe, policia italiane dhe ajo shqiptare kanë punuar për identifikimin e grupit kriminal, i cili rezultoi se kishte lidhje të forta edhe me biznesin e ndërtimit në Shqipëri.
Ndërkohë, hetimet për të arrestuarit e operacionit të koduar “Ndërtuesi” po përqendrohen kryesisht te pasuria, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dërguar bankave të nivelit të dytë dhe hipotekave në të gjithë Shqipërinë kërkesa për evidentimin e pasurive dhe llogarive bankare që figurojnë në emër të pesë biznesmenëve. Informacionet e para që kanë mbërritur në zyrën e akuzës kanë qenë për shtetasin Arben Veliko, i konsideruar nga grupi hetimor si kreu i këtij rrjeti të trafikut të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë. Veliko, i njohur në qytetin e Vlorës si biznesmen, ka në zotërim dy pallate, një vilë dhe një hotel luksoz në breg të detit Jon, në periferi të qytetit.
#