E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballshi sërish i rrezikuar nga epidemitë

09/08/2010 Rikthehet situata e pak muajve më parë. Banorët: ISHP nuk është interesuar

Ujërat e zeza bashkohen me ato të bardhat

Nuk ka kaluar as 3 muaj nga skandali i ujit të pijshëm për shkak të papastërtive dhe ndotjes së tij, kur në Ballsh sërish kanë mbërritur denoncimet për situatën e rënduar. Banorët e Ballshit janë duke provuar këto ditë shijen e hidhur dhe erën që vjen prej ujit të pijshëm. Ndërsa shprehin frikën e rikthimit të një epidemie masive, shkaktuar pikërisht nga ndotja e ujit vetëm pak muaj më parë. Kanë qenë 2 lagje kryesore të qytetit të Ballshit, që provuan dhe dyert e spitalit vetëm pak muaj më parë, ndërsa sërish nuk kanë parë zgjidhje. Sipas banorëve, Drejtoria e Shëndetit Publik as që është interesuar për të parë gjendjen dhe as ajo e ujësjellësit të Ballshit, me gjithë gjendjen alarmante të krijuar.

Ata shprehen se janë edhe abonentë të rregullt të faturave të ujit të pijshëm, me gjithë problemet e shkaktuara nga papërgjegjshmëria e ndërmarrjes së ujësjellësit dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik, e cila nuk merr masa për ndalimin e kësaj gjendjeje.

“Jetojmë në kushte mizerje, sidomos kemi shumë probleme me ujin e pijshëm”, - thotë një banor i lagjes ‘5 shkurti’ në Ballsh. - Sikur të mos mjaftonte që na çuan gjithë qytetin në spital për papastërtinë e ujit të pijshëm, edhe ujërat e zeza na duheshin nëpër këmbë dhe aq më tepër të ngatërroheshin me ujërat e bardha.”

Banorët shprehen se kanë bërë disa ankesa lidhur me këtë gjendje edhe në ndërmarrjen e ujësjellësit dhe në Drejtorinë e Shëndetit Publik, por ende nuk është marrë asnjë masë për gjendjen e krijuar.

Aurora Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›